Superliga “në zjarr”, merr rastin që e priste gjatë

Prishtinë | 25 Dhj 2019 | 08:51 | Nga Ekonomia Online

Pas një periudhe të gjatë, Përfaqësuesja e Kosovës në futboll dominohet nga lojtarët e Superligës. Në listën e publikuar të martën nga përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, për miqësoren e vitit të ardhshëm ndaj Përfaqësueses së Suedisë, më shumë se gjysma e lojtarëve janë nga elita e futbollit kosovar.

Prej 25 emrave në listën e Challandesit, 13 prej tyre u takojnë skuadrave të Superligës. Miqësorja ndërmjet Kosovës dhe Suedisë do të zhvillohet më 12 janar në Doha të Katarit. Përfaqësuesja e Kosovës grumbullimin do ta mbajë gjithashtu në Katar, i cili nis më 8 janar.

Ngjashëm si Kosova, edhe Suedia do të paraqitet kryesisht me lojtarë që kandidojnë për një vend tek ekipi A dhe të cilët vijnë nga skuadrat elitare të këtij shteti.

Për Kosovën, kjo do të jetë miqësorja e parë në vitin 2020, derisa Federata e Futbollit e Kosovës ka paralajmëruar se mund të aranzhohet edhe një miqësore tjetër pas katër ditësh, po në Katar.

Në listën e Challandesit, më së shumti futbollistë prej skuadrave të Superligës, kanë Prishtina, Feronikeli dhe Ballkani, që përfaqësohen nga tre lojtarë. Me nga një futbollistë në këtë listë janë Drita, Gjilani, Llapi dhe Trepça ’89.

Nga Prishtina është ftuar portieri Visar Bekaj që edhe në të shkuarën ka qenë pjesë e Kosovës, por nuk ka pasur hapësirë, si dhe mbrojtësit Armend Thaqi e Leotrim Bekteshi.

Portieri i ekipit U-21 të Kosovës, Florian Smakiqi, mbrojtësi Lapidar Lladrovci dhe mesfushori Albert Dabiqaj vijnë nga Feronikeli, derisa treshja sulmuese që ka shkëlqyer këtë edicion në Superligë – Blendi Baftiu, Arbër Hoxha, Jetmir Topalli – janë të ftuarit nga Ballkani.

Tetë prej lojtarëve të tjerë në listë vijnë nga skuadrat e ligave të Skandinavisë, kurse disa prej tyre kanë qenë rregullisht pjesë e ekipit gjatë eliminatoreve për “Euro 2020”, si Fidan Aliti, Herolind Shala, Anel Rashkaj e Elbasan Rashani.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme