Samiti i Sofjes së Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Forumi Ekonomik i Vjenës, kanë shërbyer si “ekskursion” për zyrtarët e shtetit.
Një armatë e tërë, në krye me presidentin e vendit, Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj kanë qëndruar për dy ditë, më 17 dhe 18 maj, në kryeqytetin e Bullgarisë, Sofje, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ministra, zëvendësministra, këshilltarë, shoferë e truproja, kanë përbërë delegacionin e Kosovës prej rreth 60 personash, pjesëmarrës në këto dy ngjarje.
Sipas një përllogaritjeje të gazetës bazuar në udhëzimin administrativ për udhëtimet zyrtare dhe taksat për mëditje që janë bërë që në kohën e UNMIK-ut, vetëm për akomodim dhe mëditje të këtyre zyrtarëve, janë shpenzuar mbi 20 mijë euro. Këtu nuk përfshihen shpenzimet e tjera të udhëtimit.