Gjykata Supreme e ka shpallur të paligjshme dhe ka shfuqizuar nene të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike, duke aprovuar kështu kërkesëpadinë e Odës Ekonomike e Kosovës, kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji.
Me Aktgjykimin P.A.nr.18/2025, të datës 05.11.2025, Gjykata Supreme e Kosovës ka miratuar kërkesëpadinë e OEK-ut dhe ka konstatuar si të paligjshëm disa dispozita kyçe të akteve nënligjore të nxjerra nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Gjykata Supreme ka vendosur të shfuqizojë Nenin 8 të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike të datës 18 janar 2017, si dhe Nenin 2 të Udhëzuesit për Ndryshimin dhe Plotësimin e këtij udhëzuesi, i ndryshuar dhe plotësuar në datat 13 qershor 2018 dhe 30 tetor 2018.
Ky vendim përfaqëson një hap thelbësor drejt vendosjes së një kuadri ligjor dhe rregullator më transparent, të drejtë dhe të harmonizuar me interesin e konsumatorëve jo-familjarë. Ai njëkohësisht adreson shqetësimet e ngritura nga OEK lidhur me faturimin e muajit qershor 2025 dhe kontratat individuale pas datës 1 qershor 2025.