Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa ditë më parë pati vendosur që të përsëriten zgjedhjet për kryetar të komunës së Parteshit.
Këtë vendim, PZAP e kishte marr në bazë të ankesës së kandidatit për kryetar të kësaj komune, Nenad Cvetkoviq nga subjekti politik “Narodna Slloga”.
Mirëpo lidhur me këtë vendim të PZAP-it reagoi Lista Serbe e cila u shpreh se anulimi i rezultatit të zgjedhjeve në komunën e Parteshit është një vendim politik i Prishtinës.
Madje për këtë gjë Lista Serbe i është drejtuar Gjykatës Supreme që të anuloi këtë vendim të PZAP, mirëpo e njëjta ka hedhur poshtë ankesën e tyre.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka-Lutfiu.
“Të njoftoj se ‘Lista Serbe’ ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme, lidhur me vendimin e PZAP-së. Kjo ankesë është refuzuar nga Gjykata Supreme, me 6 nëntor 2017”, ka thënë Uka-Lutfiu.
Ndërkaq përsëritja e zgjedhjeve në këtë komunë do të mund të mbahet më 19 nëntor, në ditën ku në disa komuna do të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve.
Kështu ka thënë në një përgjigje për Telegrafin, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Kjo do të dihet saktë në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me një komunë të vogël, qoftë për nga numri i Qendrave të Votimit apo edhe nga numri i votuesve, do të vlerësohet mundësia që votimi të përsëritet më 19 nëntor, në ditën kur mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave në 19 komuna të tjera”, tha Elezi.