Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL), platformë e themeluar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka mbajtur konferencë për të dhënë detaje lidhur me aktgjykimit të Gjykatës Supreme në rastin e hidrocentraleve në Shtërpcë, raporton Ekonomia Online.
Arbër Rexha nga GLSP, tha se Gjykata Supreme ka marrë një vendim shumë të rëndësishëm për rastin e Hidrocentraleve në Shtërpcë duke pamundësuar vazhdimin e punimeve.
“Gjykata Supreme ka prishur Aktvendimin e Gjykatës së Apelit ku thuhej pa asnjë bazë, ndër të tjera, që ndalja e punës së hidrocentralit ishte kundër interesit publik. Gjykata Supreme ka konstatuar se nuk mund të aprovohet si i drejtë dhe ligjor qëndrimi juridik i gjykatës së Apelit, pasi që nuk ka arritur t’i vlerësojë dhe peshojë të gjitha rrethanat që parashihen në nenin 22 të Ligjit për Konfliktet Administrative në mënyrë kumulative, si dhe ka konstatuar se arsyetimi i aktvendimit të Gjykatës së Apelit është i mangët dhe jo bindës mbi faktet vendimtare”.
“Sipas Gjykatës Supreme, paditësit kanë paraqitur prova bindëse se atyre do t’u shkaktohej dëm, se shtyrja e ekzekutimit të lejeve për Hidrocentralin në Brezovicë nuk ishte kundër interesit publik, dhe se kompanisë ndërtuese nuk do t’i shkaktohej ndonjë humbje të madhe”.
“Ky Aktgjykim i Gjykatës Supreme është një fitore shumë e madhe për qytetarët e Shtërpcës. Sepse do të thotë që me pezullimin e lejes ujore për HC Brezovica, kompania ndërtuese nuk mund të aplikojë për leje mjedisore, lëshimi i të cilës është parakusht për të operuar hidrocentrali. GLPS dhe GAIA kanë dërguar padi vetëm kundër lejes ujore për Hidrocentralin Brezovica, sepse është e vetmja që kanë pranuar deri më tani nga Ministria e Mjedisit, edhe pse që gati një vit kërkojnë lejet ujore për hidrocentralet tjera në Shtërpcë, pra hidrocentralet Sharri, Shtërpca dhe Viça”.
Sipas tij, shkeljet ligjore dhe kushtuese janë shumë të mëdha madje as qytetarët nuk janë njoftuar për debatet publike e kjo thotë ai ka mjaftuar që të anulohet i tërë procesi.
“Shkeljet ligjore në këtë rast kanë qenë të mëdha dhe të shumta. E të cilat në gusht të këtij viti janë konfirmuar edhe nga publikimi i Raportit të Grupit Punues për Hidrocentrale – i përbërë kryesisht nga zyrtarë të Ministrisë – e i cili ka dëshmuar që të gjitha lejet e lëshuara për hidrocentrale në Kosovë në dekadën e fundit janë të kundërligjshme”.
“Fillimisht, duhet të theksojmë që lejet dhe aktet tjera të Ministrisë janë dhënë në shkelje flagrante të së drejtës kushtetuese të qytetarëve për të marrë pjesë në vendimet për mjedisin ku jetojnë. Qytetarët e Shtërpcës nuk janë njoftuar sipas ligjit se do të mbahet debati publik për kaskadën e Hidrocentraleve në Shtërpcë. Për këtë arsye, “debati publik” – nëse mund ta quajmë ashtu – është mbajtur vetëm me zyrtarë të Ministrisë dhe kompaninë ndërtuese. Kjo është shkelje serioze e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe bazë për anulimin e të gjitha lejeve dhe akteve tjera. Pra, e gjithë procedura, që nga fillimi, ka qenë jotransparente, gjë që po e thotë edhe vetë Raporti i Ministrisë tani”.
“Së dyti, duhet të theksohet se Hidrocentralet e kundërligjshme kanë degraduar rëndë mjedisin, florën, faunën, kanë çrregulluar ekosistemin, kanë shëmtuar peisazhin dikur shumë të bukur dhe krenar, kanë devijuar dhe penguar rrjedhën e lumit, ua kanë mohuar qytetarëve ujin e pijes dhe ujitjes, të cilët kanë qenë të varur nga ky ujë, sidomos bujqit vendor! Infrastruktura e hidrocentraleve është ndërtuar edhe në Parkun Kombëtar Sharri, edhe pse me ligj shprehimisht ndalohet çfarëdo “ndërtimi që rrezikon natyrën,” si dhe ndalohet “shfrytëzimi ekonomik i të mirave të natyrës aty”.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të monitorojnë zbatimin e këtij vendimi.
“GLPS dhe GAIA si paditëse në këtë rast, u bëjnë thirrje qytetarëve që të mbikëqyrin zbatimin e këtij vendimi, pra që të lajmërojnë Qendrën për Raste Gjyqësore Strategjike në rast se Hidrocentrali në Brezovicë vazhdon operimin pavarësisht vendimit të Gjykatës Supreme, e për të cilin ne do të iniciojmë procedurat përkatëse ligjore”
Mevlude Skuroshi nga GAIA, tha se ky aktgjykim vije pas pune dhe padisë së Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike, GLPS-së, GAIA Kosovo dhe gjithë qytetarëve të Shtërpcës, raporton EO.
“Ky vendim është konfirmim, por ka edhe shumë punë. Po iu rikujtojë ministrit Aliu që ka ofruar mbështetje banorëve lokal në Shtërpcë, pavarësisht se është pa degradimi”.