Supremja spanjolle hedh poshtë kërkesën për fletarrest ndaj Puigdemontit në Kopenhagë

Prishtinë | 22 Jan 2018 | 18:59 | Nga

Gjykata Supreme në Spanjë ka hedhur poshtë një kërkesë të prokurorit të shtetit, me anë të së cilës u kërkohej autoriteteve daneze të arrestojnë ish-liderin e Katalonjës, Carles Puigdemont.

Ai ka udhëtuar nga Brukseli në Kopenhagë gjatë ditës së sotme për të marrë pjesë në një debat në Universitetin e Kopenhagës.

Ky është udhëtimi i parë i Puigdemontit jashtë Brukselit, prej kur ai është arratisur për t’iu shmangur thirrjes së gjykatës në Spanjë, për rolin e tij në një ndarje të dështuar, që është udhëhequr nga qeveria e tij në tetor të vitit të kaluar, shkruan REL.

Spanja pati nisur një fletarrest evropian për arrestimin e Puigdemontit në muajin nëntor, mirëpo më vonë e ka tërhequr atë.

Në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 21 dhjetor, partitë pro-pavarësisë kanë fituar shumicën absolute në zgjedhjet e parakohshme rajonale, duke goditur qeverinë e Madridit.

Kryeparlamentari i parlamentit të Katalonjës, Roger Torrent, më 22 janar, e ka propozuar Puigdemontin si kandidat për të udhëhequr qeverinë rajonale.

Madridi ka thënë se udhëheqja e Katalonjës nga një territor i huaj do të ishte e “paligjshme”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme