Shkrimtari e publicisti Veton Surroi, në një postim në Facebook është deklaruar kundër një ministri të Qeverisë së Kosovës i cili ka kërkuar largimin e ambasadorit të Zvicër nga vendi. “Shkas” për këtë kërkesë ka deklarata e ambasadorit zviceran Jean-Hubert Lebet se Zvicra paguan për ujësjellësit në Kosovë, pasi paratë e saj zhvaten e vishen.
Surroi ka deklaruar se për këtë kërkesë ministri i Jashtëm i Kosovës duhet t’i kërkojë falje ambasadorit zviceran në Prishtinë.
Ky është postimi i Surroit:
Ministri i jashtëm i Kosovës duhet t’i kërkojë ndjesë ambasadorit zviceran në Kosovë , në emër të qytetarëve të vendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës. Deklarimi i një ministri të Qeverisë për largimin e ambasadorit është kundër marrëdhënieve të veçanta që ka Republika e Kosovës me Konfederatën Zvicerane dhe respektit e falënderimit që kanë qytetarët e Kosovës ndaj këtij vendi.
Deklarimi i ambasadorit Jean Humbert Lebet përshkroi formulën e thjeshtë të realitetit të hidhur të këtij vendi: taksapaguesi zviceran duhet të paguajë ujësjellës në Kosovë ngase paratë e taksapaguesit kosovar zhvaten e vidhen.
Në traditën e këtij vendi dhe populli , fjalëve të mikut nuk u jepet përgjigja duke ia treguar derën e daljes por duke e ftuar që të bisedohet shtruar në ballë të oxhakut.