Tre zyrtarë policorë të stacionit policor të Podujevës, janë suspenduar mbrëmë për shkak të dyshimit se nuk kanë përmbushur detyrat zyrtare me rastin e ndërhyrjes në një aheng familjar-dasmë, i cili mbahej në një restorant duke shpërfillur vendimin e qeverisë.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Online “Reporteri.net” Arbër Beka, zëdhënësi i Inspektoratit Policor.
“Inspektorati Policor i Kosovës mbrëmë (09 Gusht 2020), gjatë realizimit të Planit Operativ “Monitorimi i respektimit të vendimeve mbi zbatimin e masave parandaluese kundër përhapjes së Covid-19”, ka hasur në mos zbatim të Vendimit të Qeverise së Republikës së Kosovës për masat ndaj Covid-19 nga tre zyrtarë policorë në Podujevë”, ka thënë Beka për Reporteri.net.
Beka më tej thotë se krahas kësaj të njëjtit dyshohen edhe për mos zbatimin e Urdhrit Operativ të policisë për gatishmëri dhe reagim për Covid-19 duke mos reaguar në një informatë që kishin pranuar për mbajtjen e një ahengu familjar (dasmë) në komunën e Podujevës.
“Si pjesë e procedurave administrative hetimore të njëjtit janë suspenduar me rekomandim të IPK-së”, ka deklaruar Beka.