Suspendohen nga puna 3 mjekë, 5 të tjerë dërgohen në komision disiplinor për mosprani në vendin e punës

Prishtinë | 07 Gus 2018 | 17:29 | Nga

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se Bordi i SHSKUK-së, gjatë një inspektimi, të cilin e ka bërë drejtori i këtij institucioni Basri Sediu, gjatë natës së djeshme, në disa klinika nuk i ka gjetur fare në vendin e punës disa mjekë dhe infermierë.

Si rrjedhojë, 3 mjekë janë suspenduar nga puna, 3 të tjerë janë dërguar në komision disiplinor përfshirë edhe 2 infermierë.

“Duke e mirëkuptuar punën e vështirë dhe lodhjen e madhe që mund ta kenë gjatë ushtrimit të profesionit, mungesa në vendin e punës nuk e arsyeton askënd. Mungesa e tyre në vendin e punës mund të jetë humbje e madhe për dikë”, shkruan Ismaili.

Ismaili shkruan se po punojnë çdo ditë që të përmirësojnë kushtet për personelin mjekësor në vend, duke rritur pagat e kujdestarive për ta, por çdokush që sillet në mënyrë të papërgjegjshme karshi punës dhe qytetarëve tanë, nuk e meriton të jetë aty, shkruan ai.

“Këtë sjellje nuk e meritojnë mijëra profesionistë shëndetësorë, të cilët e bëjnë punën e tyre me nder dhe përgjegjësi, që të njollosen nga raste të tilla. Prandaj, në këto situata, nuk do të ketë kompromis dhe askush nuk do të falet”, shkruan në fund Ismaili.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme