Suspendohen policët që dyshohet se keqtrajtuan një person që u iku me veturë në Ferizaj

Prishtinë | 25 Dhj 2024 | 11:31 | Nga Ekonomia Online

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka suspenduar tre policë për tejkalim të autorizimeve për një rast të dy ditëve më parë në Ferizaj.

Sipas njoftimit të IPK-së, policët në orët e vona të 23 dhjetorit ishin vënë në ndjekje ndaj një të dyshuari që u iku me veturë. Pasi e arrestuan, dyshohet se policët kryen veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve pas publikimit të një video në medie, sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim me dyshimin për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga disa zyrtarë policorë në Ferizaj. Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur më 23.12.2024 në Ferizaj në orët e vona të natës kur policia kishin ndaluar një të dyshuar i cili nuk ishte ndaluar me veturën e tij dhe policia i ishte vënë në ndjekje. Rasti është regjistruar në IPK dhe hetuesit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore”, thuhet në njoftim.

Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin kompetent, vijon njoftimi.

Të ngjashme