Suspendohet një polic i Reagimit të Shpejtë në Mitrovicë, i dyshuar për incizim të paautorizuar

Prishtinë | 24 Qer 2023 | 21:53 | Nga Ekonomia Online

Një zyrtar policor është suspenduar sot me rekomandim të IPK-së nga Policia e Kosovës .

Hetuesit e IPK-së kanë pranuar informacione sot lidhur me dyshimin se një zyrtar policor (i Njësisë së Reagimit të Shpejtë – Drejtoria Rajonale Policore – Mitrovicë e Jugut) është i dyshuar për fotografim apo incizim të paautorizuar.

Hetuesit kanë ndërmarrë disa veprime hetimore kurse si pjesë e procedurave administrative, krahas hetimit që po zhvillohet zyrtari policor është suspenduar.

Hetuesit e IPK-së do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të këtij rasti në konsultim me prokurorin kompetent dhe në përputhje me autorizimet ligjore të Inspektoratit Policor.

“Në një rast të fundit, ku është shpërndarë një video e një të dyshuari të arrestuar, nën dyshimin se ka shkelje disiplinore në këtë rast nga një zyrtar policor, duke u bazuar në udhëzimin përkatës, Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Jugu, ka filluar procedurat disiplinore ndaj një zyrtari policor, i cili me vendim të drejtorit rajonal është suspenduar. Ky rast do të trajtohet bazuar në procedurat policore dhe po ashtu është proceduar për hetim dhe kompetencë të mëtejme në IPK”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Policia me këtë rast zotohet se do të vazhdojë të jetë në krye të realizimit të detyrave në ruajtje të rendit e qetësisë publike, ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët, vënien para drejtësisë të të gjithë të dyshuarve dhe këto do t’i arrijë me profesionalizëm dhe integritet.

Të ngjashme