Kryetari i Komunës së Ferizajt dhe anëtari i Këshillit Drejtues të LDK-së, Muharrem Svarqa ka thënë se është e drejtë e çdo partie politike që të kërkojë rrëzimin e qeverisë.
Këtë ai e ka thënë duke komentuar iniciativën e Nisma për një mocion të mosbesimit për Qeverinë aktuale.
“Po të kishte qenë në dorën e tyre kjo Qeveri as që do të formohej. Konsideroj se nuk është e mjaftueshme dëshira për ta rrëzuar Qeverinë që ka rezultate të jashtëzakonshme në punën e saj”, ka thënë Svarqa.
“Kjo qeveri ka bërë menaxhim perfekt të parasë publike dhe objektivave zhvillimore që tregojnë rritje të zhvillimit ekonomik – më e madhja në rajon”, ka shtuar ai.
Svarqa ka thënë se rezultatet e Qeverisë Mustafa do të duhej t’i pranonte edhe opozita kosovare.
“Ne njihemi për rrënimin e vetvetes, por një Qeveri që funksionon duhet të mbështetet”.
Por që ai pranon se në vend ka nisur një fushatë zgjedhore.
“Jemi futur në vitin zgjedhor të zgjedhjeve lokale. Edhe LDK ka nisur të bëjë fushatë, por kjo s’ka të bëjë me zgjedhjet qendrore”, ka deklaruar anëtari i Këshillit Drejtues të LDK-së.
“Mendoj se s’ka arsye që të pretendohet që deputet nga pozita të votojnë politikat nga opozita. Nuk përjashtohen lëvizje minimale në kërkim të mundësive për identitete më të larta”, ka thënë ai.
“Duke u matur me të tjetër mund ta shohim se në çfarë shkalle jemi. Në mënyrë do të kishte marrëzi nëse dikush lufton kundër interesave të vetvetes. Vendimet që janë marrë deri tani kërkojnë një mazhorancë të fuqishme sikur aktualja.”.
Kurse opozita sipas Svarqës e luan vetëm rolin e vet, vetëm duke kërkuar.(KlanKosova)