Sveçla dhe kabineti i tij i harxhojnë mbi 21 mijë euro për dreka, darka e udhëtime (Dokumente)

Prishtinë | 23 Dhj 2021 | 21:08 | Nga Ekonomia Online

Mbi 21 mijë euro i kushtuan buxhetit të shtetit, që nga prilli e deri më tani, shpenzimet e kabinetit të Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlës. Ndonëse është Ministri e Punëve të Brendshme, shpenzimet më të larta ky institucion i pati në udhëtimet e jashtme. Mbi 11 mijë euro del të jetë kostoja e shpenzimeve të ministrit Sveçla dhe kabinetit të tij vetëm për mëditje dhe udhëtime jashtë vendit.

Nga të dhënat që Demokracia.com ka siguruar nga Ministria e Punëve të Brendshme, në muajin gusht kur shumica e zyrtarëve publikë i shijojnë pushimet, për kabinetin e ministrit Sveçla ishte një prej muajve me udhëtime e mëditje të shumta.

Për udhëtime jashtë vendit dhe mëditje, kabineti i Sveçlës gjatë gushtit shpenzoi mbi 2 mijë e 600 euro.

Ministri Sveçla për shtatë muaj në udhëtime jashtë vendit shpenzoi 4 mijë e 535 euro. Pas ministrit Sveçla, shefja e kabinetit të tij, Jeta Tela, është personi me më së shumti shpenzime në ministri.

Tela për pesë muaj të raportuar për udhëtime jashtë vendit dhe mëditje, shpenzoi 3 mijë e 381 euro, raporton Demokracia.com.

Nga shpenzimet e larta nuk përjashtohet as zëvendësministri Bardhyl Dobra. Ky i fundit për udhëtimet e dy muajve dhe mëditjet harxhoi 1 mijë e 864 euro.

Zëvendësministri tjetër, Blerim Gashani, për udhëtimet e tre muajve jashtë vendit dhe mëditje shpenzoi gati 800 euro.

Shpenzime më të ulëta mbesin ato të dy këshilltarëve të kabinetit të Sveçlës.

Vetëm nga muaji maj e deri më tani, për udhëtimet jashtë vendit dhe mëditje, kabineti i ministrit Sveçla shpenzoi 11 mijë e 224 euro.

Ndërsa, vlera e parave të shpenzuara për biletat e udhëtimit për kabinetin e ministrit Sveçla, për katër muaj arriti në 5 mijë e 788 euro.

Sipas të dhënave që Demokracia.com i ka siguruar nga Ministria e Punëve të Brendshme, vetëm për muajin tetor ministri Sveçla shpenzoi 1 mijë e 141.77 euro për biletat e udhëtimit, ndërsa në total për biletat që vetëm ai bleu, shpenzoi 2 mijë e 356 euro.

Në muajin qershor dhe dhjetor, ministri Sveçla dhe shefja e kabinetit të tij, Jeta Tela, shpenzuan shumën e njëjtë për blerjen e biletave për udhëtimet jashtë vendit.

Shpenzimet e shefes së kabinetit nuk kishin shumë dallim me ato të ministrit. Tela për muajin qershor, tetor, nëntor dhe dhjetor shpenzoi 2 mijë e 91.94 euro në biletat e udhëtimit.

Zëvendësministri Bardhyl Dobra pati vetëm një udhëtim gjatë qershorit dhe bileta i kushtoi 154.53 euro.

Ndërsa zëvendësministri Blerim Gashani, për biletat e muajit tetor shpenzoi 556 euro. E, këshilltari Ferdinand Nikolla, për muajin tetor shpenzoi 629 euro.

Pra, muaji tetor ishte muaji më shpenzues edhe për fluturimet e ministrit Sveçla, me gjithsej 2 mijë e 785 euro.

Në total, shpenzimet për bileta nga ky kabinet arritën vlerën e 5 mijë e 788.33 euro.

Në anën tjetër, vetëm për dreka, darka zyrtare e reprezentacion, ministri Sveçla me kabinetin e tij shpenzoi 4 mijë e 118 euro prej muajit prill deri në tetor.

Sipas të dhënave që Demokracia.com ka siguruar nga Ministria e Punëve të Brendshme, shihet se vetëm për muajin gusht, shtator dhe tetor, ministri Sveçla në drekat me delegacione shpenzoi plot 1 mijë e 178 euro nga buxheti i shtetit.

Ndërsa, në reprezentacione për gjashtë muaj shpenzoi 689 euro.

Për dallim nga ministri Sveçla, zëvendësi i tij Bardhyl Dobra pati më pak shpenzime për dreka e darka. Shuma totale që ai shpenzoi për shtatë muaj të raportuar është 224 euro.

Shefja e Kabinetit, Jeta Tela, pati shpenzime më të larta se zëvendësministri. Ajo për gjashtë muaj të raportuar shpenzoi gati 400 euro për dreka e darka zyrtare.

Dy nga pesë këshilltarët e Sveçlës shpenzuan më shumë se vetë shefja e kabinetit. Vlora Gojani e Lorik Lipovica shpenzuan mbi 400 euro për gjashtë muajt e raportuar për dreka e darka.

Shpenzime më të vogla bënë tre këshilltarët e tjerë të ministrit Sveçla.

Nga të dhënat tabelare të dërguara nga Ministria e Punëve të Brendshme për Demokracia.com shihet edhe rritja e shpenzimeve me kalimin e muajve. Vetëm në muajin gusht, kjo ministri mori nga buxheti i shtetit mbi 700 euro për dreka e darka, ndërsa muaji me shpenzimet më të larta është ai i tetorit me 848.50 euro.

Totali i shpenzimeve të kabinetit të ministrit Sveçla, për udhëtime, bileta, dreka e darka, nga muaji prill deri më tani, arrin në 21 mijë e 131.15 euro.

Të ngjashme