Sveçla e konfirmon urdhërarrestin e lëshuar nga Rusia për tre zyrtarët policorë

Prishtinë | 04 Mar 2024 | 13:45 | Nga Ekonomia Online

Dy ditë më parë Rusia ka kërkuar që tre zyrtarë të njësive elitare të Policisë së Kosovës të futen në sistemin e kërkimit të Interpolit.

Ata po kërkohen për arrestimin e një shtetasi rus në veri të Kosovës në maj të vitit 2019.
Edhe shteti i Kosovës është informuar zyrtarisht për fletarrestin ndërkombëtar ndaj komandantit të njësisë speciale, Besart Ahmeti.

Këtë e ka konfirmuar Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla.

Ai tha se nga Rusia nuk pritet asgjë mirë, por kjo siç tha Sveçla, nuk është brengë e tij e as Ahmetit.
“Prej Rusisë nuk pritet asgjë mirë, Besarti është mirë… e dimë, e kemi informatën zyrtare por nuk është ajo brenga as e imja, as e Besartit”, deklaroi Sveçla.

Me lëshimin e këtij fletarrestimi, Rusia ka kërkuar që këta zyrtarë policorë kosovarë të futen në listën e kërkimit të INTERPOL-it.

Ndryshe, më 31 maj të vitit 2019, Policia e Kosovës gjatë një aksioni në veri të Mitrovicës kishte arrestuar 19 pjesëtarë të policisë të cilët kanë qenë të dyshimtë, 10 qytetarë që kanë qenë të dyshuar, 9 qytetare të tjerë të cilët kanë penguar zyrtarët policorë në kryerje të detyrës si dhe 1 zyrtar të UNMIK-ut, me nënshtetësi ruse.

Të ngjashme