Grupi i Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje nuk do marrin pjesë në seancën e të Kuvendit Komunal të Prishtinës, ku pritet të zgjidhet kryesuesi i ri, ka bërë të ditur për Ekonomia Online shefi i asamblistëve të kësaj partie, Gëzim Sveçla.
Këtë seancë, Sveçla e quan të jashtëligjshme, teksa citon edhe vendimin e Ministrisë së Administrimit të Pushteti Lokal. Kjo e fundit kishte anuluar vendimin e Kuvendit Komunal dhe e ka rikthyer Fehmi Kupinën në pozitën e kryesuesit.
Sipas tij, Kryeqyteti i ka një kryesues dhe se thirrjet për seanca duhet t’i bëjë vetë kryesuesi Fehmi Kupina.
“Vlerësojmë se kjo është një seancë e jashtëligjshme e cila është thirrur nga më i moshuari i asamblesë që vjen nga radhët e LDK-së, ndërkohë që i të njëjtit mendim se çfarë kemi thënë se ka qenë Ministria e Administrimit të Pushteti Lokal që ka vlerësuar se kjo seancë nuk është në përputhje me procedurat dhe me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe me Statutin e Komunës së Prishtinës, për shkak se nuk është thirrur nga kryesuesi i Kuvendit i cili është legjitim dhe në anën tjetër pika e rendit të ditës së seancës së thirrur ka të bëjë me emërimin e kryesuesit, ndërkohë që ligjërisht Kuvendi Komunal i Prishtinës e ka një kryesues dhe është nonsens të thërrasësh një seancë për të zgjedhur një kryesues deri sa ekziston një legjitim”, u shpreh ai.
Sipas Sveçles, këto vendime kanë për synim largimin e vëmendjes nga siç thotë keqqeverisja në Prishtinë. Ai thotë se kryetari Përparim Rama vazhdimisht po e shkel Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.
“Është e palogjikshme ajo çfarë po bën Komuna e Prishtinës, konkretisht kryetari Rama dhe partitë të cilat janë në pushtet. Kuvendi Komunal i Prishtinës, e ka një kryesues legjitim, kjo pastaj do të kalojë në një betejë ligjore, si pasojë do të bllokohet Kuvendi Komunal dhe mendoj se kjo nuk është e rastësishme. Kryetari Rama po dëshiron që të tërheket vëmendja e opinionit nga keqqeverisja në Kryeqytet dhe nga gjendja e mjerueshme që e ka përfshirë Prishtinën dhe betejën e ka bartur në një rrafsh tjetër, duke e shkelur vazhdimisht Ligjin dhe procedurat të cilat botërisht janë aplikuar dhe aplikohen në çdo Kuvend të Kosovës”, thotë Sveçla.