Pas tensioneve të krijuara në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, janë kthyer për të raportuar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtorit i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, mirëpo pa praninë e opozitës, raporton Ekonomia Online.
Tensionet në komision filluan pasi ministri Sveçla kërkoi të raportonte së bashku me drejtorin e Policisë, por që një gjë të tillë e refuzoi drejtori i Komisionit, Bekë Berisha.
Mes tyre pati edhe përleshje verbale. “Zotri Cfeklla, mos me shit mend ti mu këtu”, tha Berisha drejtuar ministri Sveçla.
Pastaj ministri Sveçla ka raportuar lidhur me situatën që ishte në veri të vendit, pas vendosjes së masës së reciprocitetit.
Sveçla shtoi se lidhur me operacionin në veri pati koordinim të brendshëm.
“Koordinimi ynë i brendshëm ishte i shkëlqyer, falënderoj policinë për profesionalizmin dhe punën e tyre të palodhshme. Ngjarjet u zhvilluan në atë mënyrë që vendimi ynë i datës 20 shtator solli edhe marrëveshjen e Brukselit, ku tashmë Serbia ishte pajtuar për reciprocitet”, ka thënë Sveçla.
Sveçla tha se kanë qenë të përgatitur që edhe fizikisht të ndërhyjnë që t’i largojnë barrikadat.
“Po e them për herë të parë se ne kemi qenë të përgatitur që edhe fizikisht t’i largojmë barrikadat. Ka qenë çështje e vlerësimit operacional nga Policia dhe politik nga Qeveria që të zgjidhet rruga më e mirë e mundshme për largimin e barrikadave, nuk ka pasur asnjë ngërç në përgatitjen logjistike”.
Ai bëri të ditur se marrëveshja e arritur në Bruksel është duke u zbatuar dhe se deri të martën janë lëshuar 17 mijë stikersa.