Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë të hënën gjatë një interviste për REL se Millan Radoiçiq është një nga krerët e grupeve kriminale në Veriun e Kosovës.
Sipas tij atje janë disa grupe kriminale të kontrabandës të cilët po luftohen nga Policia e Kosovës për shtrirjen e rendit dhe ligjit në Veriun e vendit.
“Millan Radoiçiq është njëri ndër krerët e kësaj strukture. Tashmë ai është i arratisur, sipas informatave që kemi ndodhet në territorin e Serbisë, por definitivisht që është i kërkuar nga drejtësia në Kosovë, dhe në momentin e parë të mundshëm, ai do të vihet para drejtësisë”, ka thënë Sveçla.
Të dielën pesë policisë janë sulmuar pasi donin ta pengonin një mjet transportues që për synim kishte kontrabandën.
“Është e qartë që kriminelë në veri janë të pakënaqur me gjendjen aktuale atje, duke qenë se niveli i sundimit të ligjit, është rritur jashtëzakonisht shumë në atë zonë, që për më shumë se 20 vjet është njohur si problematike për ligjin. Tendenca e tyre për të vazhduar me të njëjtat metoda, me të njëjtat qasje në raport me ligjin, patjetër që janë duke u luftuar në vazhdimësi nga strukturat e sigurisë të Republikës së Kosovës”, ka thënë ministri.
Ai ka folur edhe për hetimin e këtij rasti, duke thënë se po synohet shtrirja e plotë e sundimit të ligjit.
“Sulmet është e qartë që janë të koordinuara me qëllim që të pamundësojnë shtrirjen e ligjshmërisë së institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai. “Ne jemi duke hetuar në vazhdimësi, me të gjitha kapacitetet tona, për sulmet e mëhershme. Drejtoria kundër terrorizmit është duke udhëhequr hetimet dhe unë jam i bindur që jemi në rrugë të duhur që të gjithë strukturën e tyre jo vetëm ta identifikojmë, por edhe të dëshmojmë aktivitetet e tyre kriminale, me ç’ rast pastaj do të ndërmerreshin hapat e tjerë të radhës”.