Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka prezantuar një infografikë që tregon afatin kohor të ngjarjeve që ndodhën më 24 shtator të këtij viti në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku një grup terrorist sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku.
Ai ka publikuar edhe foto ku tregohet rruga që është përdorur nga terroristët. Sveçla tha se janë tri konstatime që janë përforcuar çdo herë e më shumë gjatë zhvillimit të hetimeve.
Sveçla, në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin Kurti, deklaroi se sipas të dhënave të Policisë, që nga viti 2021 e deri më tani, institucionet dhe zyrtarët e Kosovës, janë sulmuar 114 herë në veri të vendit.
“Qëllimi i sulmit të terroristëve dhe qëllimi i Serbisë, ishte që të aneksohet veriu i vendit. Si institucione, kemi ofruar fakte të mjaftueshme që konfirmojnë organizimin e Serbisë për të organizuar këtë sulm paramilitar terrorist. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, që nga viti 2021 deri sot, institucionet dhe zyrtarët e Kosovës, janë sulmuar 114 herë në veri”.
“Deri më tash janë tri konstatime të pakontestueshme rreth këtij sulmi , të cilat çdo herë e më shumë janë përforcuar gjatë zhvillimit të hetimeve. E para qëllimi i Serbisë e sulmi i grupit terrorist ishte që të aneksohet veriu i vendit tonë. Po ashtu grupi terrorist është mbështetur, përkrahur urdhëruar dhe ka lidhje direkte me strukturuarat shtetërore të Serbisë. Grupi terrorist është ushtruar dhe përgatitur për sulm në poligonet e rregullta dhe të kontrolluara të ushtrisë së Serbisë dhe është furnizuar me armatim ushtarak nga depot e saj”, tha Sveçla.
Ministri Sveçla ka publikuar emrat dhe fotografitë e terroristëve të identifikuar për sulmin në Banjskë.