Policia e Kosovës tha se gjatë së hënës në Bistricë të Leposaviqit ka shtënë me armë zjarri drejt një veture, pasi ajo nuk është ndalur për kontroll.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se dy personat që ishin në veturën në fjalë, qëllimisht goditën automjetin e Policisë së Kosovës.
“Jemi të brengosur thellë për incidentin e fundit në Leposaviq. Dy persona me veturë tentuan t’i shmangen postbllokut policor. Ata kanë goditur me dashje veturën e Policisë së Kosovës dhe kanë vënë në rrezik jetën e policëve”.
Sipas Sveçlës policët u detyruan të shtiejnë në drejtim të kësaj veture për të neutralizuar situatën.
“Policët e PK-së janë detyruar të qëllojnë në drejtim të automjetit për të neutralizuar situatën”, shtoi ai.
Ministri i Brendshëm tha se Inspektorati Policor i Kosovës është duke zhvilluar një hetim për ngjarjen.
“Dua të jem i qartë: asnjë formë dhune ndaj policisë sonë nuk do të tolerohet”, vijoi tutje Sveçla.
Sipas tij mbrojtja e qytetarëve dhe zbatimi i ligjit është prioriteti ynë kryesor.
Ndërkohë e ashtuquajtura zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë tha se një pjesëtar i komunitetit serb është plagosur nga të shtënat e policisë.
Shefi i kësaj zyreje Petar Petkoviç tha se i plagosuri M.D. është transportuar me urgjencë në spitalin e Kralevës, në jug të Serbisë. Ai tha se njësitë policore kanë qëlluar mbi makinë me të cilën po udhëtonin dy qytetarë serbë “vetëm sepse ata nuk kanë dashur të lejojnë që policia t’i keqtrajtojë pa asnjë arsye”.
Nga ana tjetër Lista Serbe ka kërkuar largimin e njësive Speciale nga zonat e banuara me shumicë serbe.
Deeply concerned about the recent incident in Leposaviq.Two persons with a vehicle,attempt to evade a police checkpoint.They hit KP car intentionally and put the lives of police officers in danger. KP officers were forced to fire at vehicle's direction to neutralize situation.1/2
— Xhelal Sveçla (@XSvecla) January 23, 2023