Sveçla thotë është detyrë e tij t’i kërkojë raport Policisë për të gjitha angazhimet

Prishtinë | 04 Maj 2023 | 21:54 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se është detyrë e tij t’i kërkojë Policisë raporte për të gjitha angazhimet. Ai ka thënë se kërkesa e tij për raportim nuk është vetëm për Policinë por për të gjitha agjencitë që i ka nën Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Ky reagim i Sveçlës ka ardhur pasi deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, idh-drejtor i Policisë, tha sot në Kuvendin e Kosovës, se ministri i Brendshëm i kishte mbajtur në një takim 12 orë shefat e hetimeve të Policisë për t’i raportuar.

“Është detyrë e imja që të kërkoj prezantim apo raport mbi të gjitha angazhimet që Policia e Kosovës i ka në mandat dhe të obliguara ligjërisht që t’i zbatojë. Kjo vlen për të gjitha agjencitë që mbulon Ministria e Punëve të Brendshme”, ka reaguar Sveçla, të enjten në mbrëmje.

Gjatë ditës, Rashit Qalaj përmendi se takimi i shefave të hetimeve të Policisë ishin detyruar t’i raportonin ministrit Sveçla në Blinajë të Lipjanit.

Ministri i Brendshëm ka thënë se zbulimi i këtij fakti nga Qalaj nuk është bërë me qëllim të mirë.

“Mbase po duan të thonë se Departamenti i Hetimeve në Polici, e ato që janë për krimin e organizuar e korrupsionin duhet t’i raportojnë z. Qalaj ende? A çfarë është porosia e kësaj insinuate të thënë sot në Kuvend? Apo po duan të intimidojnë policët hetues që kryejnë punët e tyre? Padyshim që asnjë qëllim të mirë nuk e ka pasur sot ish-drejtori i policisë, deputeti i PDK-së Rashit Qalaj”, ka reaguar Sveçla.

Sipas Ministrit të Brendshëm, në takimin me hetuesit policorë ka qenë prezantim i të arriturave të Policisë në fushën e luftimit të krimit, në formatin e punëtorisë që është mbajtur në objekt që është pronë e MPB-së.

“Pjesëmarrësit e atij takimi kanë qenë me autorizimin e eprorit të Policisë dhe kabineti im. Policia e Kosovës është Agjenci Ekzekutive nën ombrellën e Ministrisë së Punëve të Brendshme”, ka shtuar ai.

Shefi i MPB-së ka thënë se pavarësisht pengesave do të vazhdojnë luftën ndaj krimit e korrupsionit.

“Ne nuk kemi pranuar të shantazhohemi nga asnjë rrethanë, sot më shumë së kurrë as nuk shantazhohemi as nuk zmbrapsemi”, ka deklaruar ministri Sveçla.

Të ngjashme