Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSShK) ka mbajtur konferencë për medie në lidhje me ecurinë e grevës së punëtorëve shëndetësorë në nivel vendi, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i kësaj sindikate, Blerim Syla tha se grevës i janë përgjigjur 100 për qind punëtorët shëndetësor.
Ai e konsideron këtë grevë si të suksesshme. Syla thotë se janë në pritje të ndonjë sinjali nga Qeveria për të vendosur për hapat e mëtejmë.
“Deri në këto momente e kemi një grevë shumë të suksesshme sepse 100 për qind e punëtorëve ju kanë përgjigjur kësaj greve dhe për këtë na ka kuptuar edhe popullata të cilët i falënderoj. Jemi në pritje të ndonjë sinjali nga qeveria nëse jo pasdite do të mblidhet kryesia dhe do të vendos nëse kjo grevë do të vazhdojë apo të ndërpritet”, tha Syla.
Ai ka shpjeguar mbarëvajtjen e kësaj greve.
“Deri në këto momente i kemi marrë të gjitha të dhënat sa i përket grevës 24 orëshe të shëndetësisë. Në orën 07:00 të mëngjesit ka filluar greva në të gjitha institucionet relevante të Republikës së Kosovës nga njësia primare, sekondare dhe terciare”, ka thënë Syla.
Kërkesat e mantelbardhëve i ka ripërsëritur edhe njëherë Syla.
“Kërkesa e vetme e Federatës së Shëndetësisë është që pas një dialogu pothuajse një vjeçar për aprovimin e Ligjit për paga, punëtorët shëndetësor ta gëzojnë mirëqenien, nuk kemi pasur reflektim nga Qeveria dhe Parlamenti dhe në këtë mënyrë Këshilli Drejtues ka vendosur të vazhdohet me grevën 24 orëshe”, tha ai.