Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Gazmend Syla, ka përgënjeshtruar zëvendëskryeministrin Avdullah Hoti, i cili në një konferencë për media kishte premtuar lehtësira për borxhet e kredive që qytetarët kanë ndaj bankave.
“Zëvendëskryeministër, mos e gënje popullin”, ka shkruar Syla.
Ai ka shkuar në bankë për të parë nëse janë të vërteta fjalët e Hotit, por ka rezultuar se s’ka kurrfarë lehtësirash.
“Sot personalisht isha në bankë për t’u informuar rreth lehtësirave që premtoi z. Hoti, sa i përket borxheve (kredive) që kanë qytetarët ndaj bankave. Në fakt nuk ka kurrfarë lehtësirash. Vetëm një gënjeshtër e madhe. Z. Hoti mos e mashtro popullin, i cili po përballet mbase me krizën më të madhe këto dy dekada. Veproni. Mos gënjeni. Ndihmë quhet pezullimi i kredive për disa muaj të caktuar, siç është bërë në shumë shtete. E jo deklaratat e kota në konferenca mediatike”, ka shkruar Syla.