Sylejman Selimi pritet të emërohet Ambasador i Kosovës në Tiranë

Prishtinë | 23 Pri 2019 | 16:02 | Nga Ekonomia Online

Ballkan.info raporton se ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi pritet të rikthehet në pozitën që e kishte para arrestimit.


Bëhet e ditur se gjenerali Selimi është emëruar Ambasador i Kosovës në Tiranë.

Deri më tash, i ngarkuar me punë në ambasadën e Kosovës në Shqipëri ka qenë, Sylë Ukshini.

Më 25 janar të këtij viti, paneli për lirim me kusht e kishte liruar nga burgu, ish-komandantin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi.

Avokati i tij, Tomë Gashi kishte konfirmuar se Paneli i themeluar nga Këshilli Gjyqësor ka marrë një vendim për lirimin me kusht të Selimit.

“Pas mbajtjes pa të drejtë për mbi 5 vjet dhe pas mbajtjes në vuajtje të dënimit për 227 ditë pa vendim gjyqësor, më në fund është liruar komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Gjeneral Sylejman Selimi”, tha Gashi për Ballkan.info.

Më 24 maj 2013, Sylejman Selimi ishte arrestuar dhe më vonë ishte shpallur fajtor për një vepër penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile nga Gjykata Themelore në Mitrovicë. Ai ishte dënuar me 6 vjet burg.

Në qershor të këtij viti, të akuzuarit nga rasti që njihen si Drenica 1 dhe Drenica 2, janë kthyer në rigjykim.

Në rastin “Drenica”, janë gjykuar disa nga ish-komandantët e UÇK-së të cilët bartnin funksione publike, qoftë deputetë apo edhe kryetarë komunash, si Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Fadil Demaku, Nexhat Demaku e të tjerë

Të ngjashme