Pas gati katër vjetësh në pozitën e drejtorit teknik në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), gjermani Michael Nees prej ditës së premte ka një përgjegjësi tjetër. Nees është emëruar përzgjedhës i Përfaqësueses U21 të Kosovës dhe është prezantuar po të premten nga FFK-ja.
Ai në këtë post ka zëvendësuar Rafet Prekazin, të cilit i skadoi kontrata në fund të vitit të shkuar, pas dy cikleve eliminatore për Kampionatin Evropian.
Gjermani Nees do t’i udhëheqë “Dardanët” e rinj në ciklin e tretë të kualifikimeve për Evropian, që nis në muajin qershor. Kosova U21 të enjten ka mësuar kundërshtarët e kualifikimeve për Evropianin 2023 derisa një ditë më vonë është zyrtarizuar edhe trajneri.
Nees 53-vjeçar është pjesë e FFK-së prej shtatorit të vitit 2017. Ai kishte ardhur me rekomandimin dhe financimin e Federatës së Futbollit të Gjermanisë (DFB), që ka raporte të mira me FFK-në, për të ndihmuar në zhvillimin e strukturave profesionale. Ishte emëruar në rolin e drejtorit teknik. Ndërsa tani Nees do të ketë një detyrë tjetër, për të cilën ka insistuar se është plotësisht i gatshëm.
Në një intervistë për KOHËN, Nees tha se të gjithë në FFK janë të kënaqur me punën e tij dhe ndihet shumë i nderuar që ka marrë besimin për të qenë në krye të Përfaqësueses U21. Për gjermanin, kjo nuk është hera e parë që punon si përzgjedhës, pasi për një periudhë dyvjeçare ishte në krye të Përfaqësueses U21 të Izraelit (2013-2015).
“FFK-ja ka mundur të shohë se si punoj në katër vjetët e fundit dhe pa dyshim që udhëheqja me presidentin Agim Ademi dhe sekretarin Eroll Salihu ishte e kënaqur. Gjithmonë ndihesha i mbështetur prej tyre dhe jam vërtet i nderuar që ata besojnë në aftësitë dhe përvojën time. Unë gjithashtu mund të fitoja një pasqyrë të vlefshme në futbollin e Kosovës dhe të njihja kulturën dhe popullin e Kosovës. Themeli për një hap tjetër u hodh gjatë viteve të fundit, dhe me të vërtetë më pëlqente të punoja me të gjithë kolegët e mi në Kosovë”, tha Nees, që pati vetëm respekt për punën e paraardhësit të tij.
“Kryesia e FFK-së gjithashtu e dinte historinë time të trajnerit dhe se unë më parë kam punuar si drejtor teknik dhe përzgjedhës i ekipit U21 të Izraelit në të njëjtën kohë. Atje me të vërtetë kisha disa arritje të mëdha së bashku me stafin lokal. Kur FFK-ja ndjeu se duheshin disa ndryshime në fusha të ndryshme teknike, ishte pothuajse një ide e qartë nga të dy palët. Gjithashtu u bë e qartë gjatë pandemisë që stafi i gjithanshëm mund të jetë një avantazh i vërtetë për punë efikase në një Federatë”.
Kosova U21 bën pjesë në Grupin A së bashku me Anglinë, Çekinë, Slloveninë, Shqipërinë dhe Andorrën. Përzgjedhësi i ri, Nees, i ka parasysh kundërshtarët në grup, që i vlerëson si të vështirë. Sipas tij, Anglia, që Kosova e kishte kundërshtare edhe në ciklin e kaluar, mbetet favorite. Mirëpo ai nuk heziton të bëjë të ditur edhe synimin e tij që ka me “Dardanët” e rinj.
“Mbi të gjitha ne së pari duhet të zhvillojmë dhe formojmë një ekip në një kohë shumë të shkurtër. Kjo është një sfidë në vete. Për shkak të pandemisë dhe mungesës së një ekipi kombëtar U20 si në shumicën e vendeve më të vogla, ne shpejt duhet të mbledhim një ekip”, tha Nees. “Anglia është favorite e qartë dhe madje mund të fitojë Kampionatin Evropian. Ne do të dëshiroja të shënjestrojmë vendin e dytë në grupin tonë”.
Krahas Anglisë, Kosova në grup e ka edhe Shqipërinë, një kundërshtare tjetër me të cilën u përball në ciklin e shkuar. Tre kundërshtarë të Kosovës këtë vit do të paraqiten në Evropian – Anglia, Çekia dhe Sllovenia. Por gjenerata aktuale nuk do të luajë në kualifikimet për Evropianin 2023.
“Ne jemi të vetmit nga nëntë grupet kualifikuese që i kemi tri ekipe që luajnë këtë vit në Kampionatin Evropian: Anglinë, Çekinë dhe Slloveninë. Është një grup i vështirë dhe pjesërisht i ngjashëm me fushatën e mëparshme, përsëri me një derbi kundër Shqipërisë. Pra, ne njohim disa nga kundërshtarët tanë, por në të njëjtën kohë edhe ata gjithashtu na njohin. Ne respektojmë çdo kundërshtar dhe nuk duhet të shfaqim ndonjë shenjë të vetëbesimit të tepërt ose ‘kompleks inferior’. Përkundrazi, ne duhet të futemi në kualifikime me vetëbesim dhe një ndjenjë pozitive. Anglia është favoritja e madhe, pa dyshim. Ne do të dëshironim të ishim në garë për vendin e dytë deri në tri ndeshjet e fundit, në qershor të vitit tjetër, dhe me shpresën të kapim një vend në plejof”.
Kosova U-21 ndeshjen e parë e luan në shtëpi ndaj Andorrës, më 8 qershor. Më 7 shtator Kosova U-21 luan në udhëtim ndaj Anglisë, ndërsa më 7 tetor e pret Çekinë. Më 12 tetor luan në udhëtim ndaj çekëve, ndërsa më 16 nëntor e pret Shqipërinë. Në mars të vitit të ardhshëm janë ndeshjet me Slloveninë, në shtëpi dhe në udhëtim, kurse më 4 qershor 2022, Kosova luan në udhëtim ndaj Andorrës. Në qershor 2022, Shpresat e presin Anglinë dhe në përfundim të ciklit eliminator luajnë në udhëtim ndaj Shqipërisë.
Krahas Kosovës dhe Izraelit, gjermani Nees prej vitit 2001 është angazhuar si drejtor dhe këshilltar teknik nëpër disa federata të tjera botërore. Ai ka punuar edhe në Japoni, Sejshele, Ruandë e Afrikë të Jugut.