Szunyog: Projekti EUKOJUST fuqizoi reformën në sistemin e drejtësisë

Prishtinë | 19 Qer 2024 | 17:09 | Nga Natyra Salihaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i BE-së në Kosovë, Thomas Szunyog, në konferencën përmbyllëse të Programit të Bashkimit Evropian për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë – EUKOJUST, ka thënë se projekti kishte për qëllim fuqizimin e sektorit të drejtësisë dhe ka dhënë rezultate, raporton Ekonomia Online.  

Ai paraqiti disa prej rezultateve që janë arritur me projektin prej 7 milionë eurosh, ndërsa veçoi hartimin e Kodit të Procedurës Civile.

Arritjet kryesore të projektit EUKOJUST:

– Përforcimi i koordinimit ndërinstitucional me krijimin e një Mekanizmi Koordinues dhe dhe Deklarata e Përbashkët e Zotimit.
– Rritja e pavarësisë, paanshmërisë dhe përgjegjshmërisë në sistemin gjyqësor përmes reformave të reja, masave disiplinore dhe themelimit të një komisioni etik për prokurorët.
– Mbështetje për konsolidimin legjislativ dhe harmonizimin me standardet e BE-së, duke përfshirë hartimin e Kodit të Procedurës Civile dhe ligjeve të tjera të rëndësishme.
– Përmirësimi i qasjes në drejtësi për të gjithë, me fokus në grupet e ndjeshme dhe ndërtimin e kapaciteteve për përkthyesit dhe interpretuesit.

“Duke forcuar kapacitetin, transparencën dhe përgjegjësinë e gjyqësorit, dua t’ju kujtoj ndihmën për Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial të Kosovës. Kjo asistencë teknike pati rezultate të mëdha në forcimin institucional përmes rregulloreve të përmirësuara dhe procedurave të përmirësuara të rekrutimit dhe trajnimeve të ndryshme gjatë shërbimit për prokurorët, gjyqtarët dhe personelit. Është përmirësuar edhe cilësia e të dhënave për përgatitjen e raporteve për aktivitetet e prokurorëve dhe gjyqtarëve për kërkesat e brendshme dhe të jashtme”, tha ambasadori Szunyog.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, theksoi se ky program ka ardhur në kohën e duhur.

“Ky program ka bashkuar aktorët e drejtësisë, ka ardhur në kohën e duhur dhe si ministre e Drejtësisë që nga 2021 mujd të them se ka qenë një nga programet më mbështetëse për Ministrinë. Është shënuar progres, për dy vite janë 55 për qind e aktiviteteve që janë zbatuar, pjesa më e madhe e tyre është mbështetur nga ky program. Lista e aktiviteteve është e gjatë dhe si MD u jemi mirënjohës për programet që kanë mbështetje, përkatësisht që dalin nga këto ligje. Nevojën për ekspertizë për miratimin e Kodit të Procedurës Civile, ne shpresojmë që të ketë vazhdim të mbështetjes së tillë sepse është e rëndësishme”, tha Haxhiu.

Benjamin Strasser, sekretar parlamentar i shtetit, Ministria Federale e Drejtësisë në Gjermani, tha se dikasteri që ai përfaqëson është duke i përcjellë reformat nga afër.

“Kam nderin të festojmë së bashku arritjet e kohëzgjatjes së këtij projekti, MD-ja ka mbështetur aktivitetet lidhur me reformat në drejtësi. Ministria ime është duke i përcjellë këto reforma nga afër që të punojmë bashkërisht dhe t’i shtyjmë këto reforma përpara. Pavarësia institucionale është parakusht për sundimin e ligjit. Përkundër të gjitha sfidave që duket të jenë pjesë e reformave, përkushtimi i përbashkët na ndihmon në fuqizimin e një sistemi transparent. Një sistem ka nevojë për ligje në bashkëngjitje me ligjet që janë mbështetur nga këto projekte”, tha Strasser.

EUKOJUST, i cili u zbatua nga Fondacioni Gjerman për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar së bashku me CILC nga Holanda dhe Ministrinë e Drejtësisë së Kroacisë, ka vendosur një themel të fortë për avancimin e vazhdueshëm të sistemit të drejtësisë në Kosovë, u theksua në konferencën përmbyllëse.

Të ngjashme