Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog, në kuadër të vizitave në kompani dhe organizata që kanë përfituar nga fonde të BE-së në kuadër të programit për Stabilizim të Komuniteteve, Faza IV (EU-CSP), ka qëndruar sot në Pejë, ku ka vizituar dy mikro-biznese që udhëhiqen nga gra, raporton Ekonomia Online.
Ambasadori Szunyog ka vizituar Klubin e Boksit “Boxing Fitness Club Fighter”, që drejtohet nga Arlinda Muça. Me këtë rast, ai ka biseduar dhe është interesuar të dijë sa anëtarë i ka klubi aktualisht, sa janë vajza dhe a është i qëndrueshëm si biznes.
“Është mirë kur e lidh biznesin me punën e zakonshme”, e ka inkurajuar Szunyog, Muçën, e cila merret me boksim qe tetë vjet. Ai madje ka veshur dorezat e boksit dhe ka pasur një “meç” simbolik me boksieren.
Arlinda Muça, e cila i takon komunitetit rom, ka treguar se aktualisht kanë rreth 50 nxënës në klub. “Jemi një grup i mirë i vajzave, shumica në shkolla dhe punë. Jemi duke e zhvilluar sportin e boksit qe një kohë të gjatë. 15 janë femra, të tjerët janë meshkuj. Por kemi edhe vajza të vogla”.
“Unë merrem me boks qe 8 vjet. Kam marrë pjesë në turne ndërkombëtare dhe kemi sjellë medalje”, ka thënë Muça, e cila është gjithashtu juriste e diplomuar.
Ajo ka falënderuar Zyrën e Bashkimit Evropian që e ka mbështetur financiarisht për ta jetësuar këtë projekt.
Szunyog, të mërkurën, ka vizituar edhe kompaninë “Eruditi”, e cila merret me prodhimin e këpucëve.
Fabrika për prodhimin e këpucëve në Belopojë ishte inauguruar në prill të vitit 2019, me përkrahjen e BE-së, Komunës së Pejës, si dhe një numri organizatash ndërkombëtare – përfshirë IOM-in.
Këto mikro-biznese kanë përfituar nga mbështetja e BE-së përmes programit EU-CSP. Qëllimi i programit është të lehtësojë krijimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse shumetnike në Kosovë, përmes stabilitetit socio-ekonomik dhe nismave të zhvillimit komunitar, duke krijuar të ardhura të qëndrueshme dhe mundësi punësimi për të gjitha komunitetet pakicë në Kosovë, si dhe duke siguruar (ri)integrimin e tyre të qëndrueshëm.
Vizitat janë pjesë e fushatës “Për ju. Me ju”, e cila synon të informojë qytetarët mbi mbështetjen që BE-ja jep me projektet të ndryshme në të gjithë sektorët në Kosovë.