Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur se gjatë vitit 2018, Republika e Kosovës është bërë lider në rajon sa i përket luftimit të krimit trans-nacional.
Tahiri ka njoftuar se gjatë këtij viti janë kryer gjithsej 85 ekstradime, shifër kjo që e bën Republikën e Kosovës një prej kontribuuesve më të mëdhenj dhe serioz në luftën ndaj krimit trans-nacional në rajon.
“Përgjatë një viti kemi qenë të përkushtuar për luftimin e krimit të organizuar trans-nacional dhe ballafaqimin me drejtësinë për kryesit e veprave penale, ku nga Janari deri më sot janë përmbyllur 85 ekstradime, më shumë se ç’kanë ndodhur për vite të tëra marrë së bashku. Me këto shifra, Republika e Kosovës është bërë lider në rajon dhe një prej kontribuuesve më të mëdhenj kundër veprave penale dhe krimit të organizuar, duke u bërë një adresë e fuqishme e ndëshkueshmërisë së krimit trans-nacional”, shkruan në statusin e tij Tahiri.
Sipas ministrit Tahiri, përkushtimi i institucioneve të rendit dhe ligjit, e posaçërisht të Ministrisë së Drejtësisë, në zbatimin e masave të reciprocitetit dhe marrëveshjeve bilaterale që rregullojnë fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar është duke e fuqizuar imazhin dhe besimin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Ky bashkëpunim i Ministrisë së Drejtësisë dhe organeve të pavarura të Sundimit të Ligjit me vendet me të cilat Kosova ka marrëveshje bilaterale të kësaj fushe, tregon për rritjen e besimit të mirëfilltë që po e konsolidojnë institucionet tona në arenën ndërkombëtare” ka shtuar ai.
Tahiri ka njoftuar se sot ka propozuar në Qeveri miratimin e koncept-dokumentit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale, me qëllim të propozimit të ndryshimeve ligjore të kësaj fushe, duke synuar rritjen e efikasitetit dhe performancës së institucioneve.
Sipas tij, kjo do të mundësojë luftim edhe më efikas të krimit trans-nacional, duke e bërë Kosovën një vend të sigurt për qytetarët dhe një vend të pasigurt për kriminelët.
“Sot në mbledhjen e Qeverisë, kërkova miratimin e koncept-dokumentit për fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështje penale, që i hap rrugë ndryshimit të ligjit përkatës, në mënyrë që të evitojmë pengesat dhe të shtojmë edhe më tutje praktikat e efikasitetit që do rrisin performancën e institucioneve tona dhe që do rrisin sigurinë e qytetarëve tanë, duke iu mundësuar atyre një ambient ku krimi i organizuar trans-nacional nuk do të mund të fshihet” ka përfunduar postimin e tij Tahiri.