Koordinatori për Reforma në Administratën Publike, njëherësh sekretar i AAK-së, Besnik Tahiri ka akuzuar partitë opozitare të cilat sipas tij nuk e votuan Pakon e Ligjeve të Reformës së Administratës Publike, e të cilat po flasin për depolitizim e çkapje, raporton EkonomiaOnline.
Tahiri në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, thotë se partitë të cilat nuk patën guximin të votojnë reformat, nuk mund të bëjnë ndryshime në drejtësi, e asnjë ndonjë fushë tjetër.
Tahiri ka përmendur sukseset e Qeverisë Haradinaj, sa i përket reformave në administrëtë publike.
Ky është postimi i plotë i tij:
Është hipokrizi kur partitë që nuk e votuan Pakon e Ligjeve të Reformës së Administratës Publike flasin për depolitizim e çkapje.
Janë po këto parti që për interesa elektorale dëshironin të bllokonin këtë proces që ishte kërkesë nga 2012 në raportin për vendin i Komisionit Evropian.
Ishin këta që nuk mbështetën Racionalizimin (zvogëlimin radikal) të Agjencive, barazinë në pagë dhe vendosjen e rregullit në rekrutim dhe avancim.
Ishin këta që në administratë kishin krijuar 14 mijë tituj për të avancuar politikisht dhe pa meritë dhe kjo u reduktua në 3 mijë.
Vendosja e shtetit në binarë dhe çkapja nuk janë deklaratë, ato kërkojnë guxim, qartësi e vullnet. Ishte Kryeministri që pati guximin dhe vullnetin ta kthejë në binarë një sistem që i shërbente partive e jo qytetarëve.
Këtë, jo që po duam ta themi ne, por janë vlerësimet më kredibile që tregojnë këto rezultate:
Indeksi i Bankës Botërore për cilësinë e hartimit të politikave në qeveri: Nga 187 vende Kosova renditet në vendin e 24-të;
Raporti për Kosovën 2019 i Komisionit Evropian thekson se në administratën publike dhe qeverisjen e mirë paketa legjislative e miratuar në shkurt paraqet një reformë të gjerë dhe gjithëpërfshirëse të shërbimit civil, të funksionimit dhe llogaridhënies së organeve dhe agjencive publike dhe reformë të pagave.
Madje, këto reforma pranohen edhe nga qeveritë më të rëndësishme evropiane, ku ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë Heiko Mass thekson: ‘Reformat të cilat janë ndërmarrë nga Kosova janë mbresëlënëse dhe duhet të pranohen’.
Pra, reformat jo vetëm se kanë dhënë rezultate, por ato vlerësohen dhe janë hapat e sigurt që i hapin Kosovës perspektivën evropiane.