Republika Nauru nga Pacifiku, sipas medieve serbe, është shteti i 17-të që ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Derisa Ministria e Punëve të Jashtme këto lajme po i konsideron propaganduese dhe të pavërteta, njohësit e rrethanave politike në vend po vlerësojnë se tërheqja e njohjeve, ose suspendimi i tyre do të vazhdojë të ndodhë.
Njohësi i rrethanave politike, Ramush Tahiri, në një prononcim për Ekonomia Online thotë se Kosova e ka të pamundur të mbajë marrëdhënie diplomatike me të gjitha shtetet që e kanë njohur vendin tonë dhe për këtë potencon se çnjohjet do të vazhdojnë të vijnë në adresë të Kosovës.
Ai thotë se Serbia po e përdor dialogun në Bruksel si fushatë për të bindur vendet e ndryshe se dy shtetet janë duke biseduar ende për statusin final të Kosovës.
“Çnjohjet do të vijnë edhe me kohë sepse Kosova nuk ka kapacitet që të bëjë marrëdhënie diplomatike me krejt shtetet që e kanë njohur vendin tonë. Është fakt që ShBA-ja dhe vendet të tjera si Turqia kanë ndikuar që numri i njohjeve të rritet dhe ta kalon shifrën 116. Serbia po bën anti-fushatë dhe po thotë që çështja e Kosovës nuk është e zgjidhur ne jemi duke biseduar për statusin në Bruksel. Që është e vërtetë se janë duke biseduar edhe pse Kosova nuk po e pranon dhe Serbia është duke thënë që mos ndikoni ju në zgjidhjen përfundimtare me këtë njohje, por suspendon njohjen kushtimisht”, thotë ai.
Dështimin në rrafshin diplomatik, Tahiri po ia adreson Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe në përgjithësi qeverisë në largim, të cilat sipas tij degraduar shërbimin diplomatik me emërime politike dhe aspak profesionale.
Ai thotë se kapja e shtetin po dëshmohet edhe në këtë fushë.
“Kosova ka degraduar edhe në diplomaci tash. Sepse nuk është avancuar me shërbimin diplomatik profesional, përkundrazi është rritur ndikimi politik edhe në Ministri të Jashtme edhe në ambasada dhe konsullata dhe ka humbur etika profesionale dhe është humbur ai motivi që ishte në fillim që të dërgojmë njerëz që janë të lidhur me kulturën e atij vendi ku shkojnë, janë intelektualë dhe mund të forcojnë lidhjet mes vendeve. Pak a shumë kapja e shtetit po dëshmohet edhe në këtë segmentin e diplomacisë, vetëm shihni se si janë bërë emërimet e fundit që janë bërë me një marrëveshje që t’i dërgojnë njerëzit që kanë orientim partiak ose që kanë mbështetjen e Ministrit të Qeverisë, por që është konglomerat i partive politike”, thotë ai për EO.
E shpresat për të kthyer “dinjitetin shtetëror” Tahiri po i mban në qeverinë e ardhshme e cila pritet të udhëhiqet nga Albin Kurti dhe Vetëvendosja.
Thotë se politika e deritanishme dështoi të ndërtojë mekanizma të cilët do të mundësonin një shtet të mirëfilltë ligjor.
“Ne jemi pa një koncept. Shpresa është që nëse bëhet qeveria e Vetëvendosjes e cila ka qenë në opozitë ta rikthejë dinjitetin shtetëror dhe do t’i rishqyrtojë të gjitha çështjet që kanë shkuar keq sa i përket shtetit. Se që kanë shkuar keq jemi dëshmitarë që jemi më të varfër se përpara, ne jemi duke e harxhuar ekonominë tonë pa ndonjë përgjegjësi. Ne jemi duke bërë gabime në investime buxhetore edhe qeverisëse dhe në rritje të rrogave. Dhe nuk kemi asnjë mekanizëm ani pse themi se gjykata dhe prokuroria janë të pavarura. Nuk ki asnjë mekanizëm i cili oligarkët i qon para gjyqit, ua merr pasurinë, ose ua ndal zhvatjen e mëtejshme të shtetit. Ne nuk po ndërtojmë mekanizma për sundimin e ligjit”, thotë ai.
Ditë më parë ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq prezantojë tërheqjen e pavarësisë së Kosovës nga Gana.
Kosova fitoi njohje nga 116 shtete të botës, por që 17 nga to thuhet se e kanë tërhequr, apo suspenduar njohjen.