Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se skandali financiar në të cilin dyshohet se është përfshirë ambasadori i Kosovës në Zagreb, Martin Berishaj dhe një politikan opozitar slloven, Robert Golob, e bën të domosdoshme themelimin e Komisionit Hetimor, raporton Ekonomia Online.
Tahiri ka thënë se ky Komision do t’i zbardhë në detaje të gjitha skandalet e kësaj Qeverie.
Tahiri e ka quajtur ambasadorin Martin Berishaj “sekser” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
“Ne e shohim që arsyeja e vërtetë e bllokimit të hetimit parlamentar për të hetuar çdo transaksion të shpenzimit të taksave të qytetarëve. Këtë proces po e shoqëron një jotransparencë. Prandaj duam ta shohim se cili ka qenë roli i sekserit të kryeministrit Albin Kurtit, Martin Berishaj në procesin e shit blerjes së energjisë elektrike në Kosovë si ka ndërmjetësuar ky me mafian serbe dhe kompanitë që veprojnë në Serbi dhe a ka pasë angazhim të ri tashmë në finalizimin të një kontrate të re të shitjes së rreth 20 milionë euro thëngjill nga Kosova pikërisht për këto kompani”, ka thënë Tahiri në një konferencë për media.
Ai ka thënë se po flasin për një skandal të madh ku paratë e shitblerjes së energjisë kanë përfunduar në xhepat e mafias serbe.
“Pra po flasim për një skandal jashtëzakonisht të madh, ne kërkojmë me ngulm dhe sot themelimin e Komisionit Hetimor për të hetuar 100 milionë euro të shitblerjes së energjisë elektrike të cilat po përfundojnë në xhepat e mafias serbe të cilave ju shërbejnë edhe zyrtarë të lartë të Kosovës siç është rasti i Martin Berishajt. Si opozitë do të punojmë që ditën e enjte të themelohet ky komision dhe me bë të qartë se cili ka qenë përfitimi i kompanisë GEN që operon në Serbi të cilës i shërben sekseri i Albin Kurtit është tepër e rëndësishme”, tha ai.
Tahiri tha se gjatë mbledhjes së Kryesisë të enjten, Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar futjen në rend dite themelimin e Komisionit Hetimor.
“Dje kemi pasur debat dy orë për Komision Hetimor. Mazhoranca e ka kundërshtuar dhe do të vijnë në seancë për ta dështuar. Shpresojmë që nxjerrja e aferave të fundit dhe tash ambasadorin në Kroaci e involvon në këtë çështje është punëtor i kompanisë në Serbi që ka shitur dhe blerë energji nga Kosova”, tha tutje Tahiri.