Tahiri flet për “progresin në zbatimin e marrëveshjeve”

Prishtinë | 19 Tet 2016 | 17:08 | Nga

Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian është mbajtur takimi trilateral për zbatimin e marrëveshjes së arritur më 14 shtator 2016, e cila parasheh reciprocitet në tabelat e veturave në mes të dy shteteve.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, prezantoi progresin në përgatitjet për zbatimin e marrëveshjes për reciprocitet në kuadër të lëvizjes së lirë, e cila do të heqë nga përdorimi tabelat “prova” të cilat njëanshëm janë aplikuar nga ana e Serbisë për qytetarët e Kosovës.

Delegacioni konfirmoi se të gjitha institucionet e Kosovës, si Ministria për Dialog, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, etj, janë duke punuar intensivisht për t’i realizuar obligimet zbatuese në raport me këtë marrëveshje.

Edhe pala serbe konfirmoi gatishmërinë për zbatimin e marrëveshjes si dhe paraqiti progresin në procesin përgatitor për implementim.

“Pas diskutimeve rreth pajisjes së veturave me letër ngjitëse që do të vlejnë për të dyja palët, BE-ja kërkoi që të dyja shtetet të marrin përsipër që pajisja e veturave me letër ngjitëse të bëhet pa pagesë, e cila nënkupton se qeveritë e të dyja shteteve duhet t’i marrin përsipër shpenzimet për prodhimin e tyre”.

“Po ashtu, u caktuan edhe specifikat e letër ngjitësve dhe modalitetet e zbatimit të këtij dakordimi”, njofton Ministria për Dialog.

Në këtë takim po ashtu u fol edhe për zbatimin e heqjes së targave ilegale që ende në disa raste përdoren nga qytetarët në komunat veriore të Kosovës. Të gjithë u pajtuan që kjo të shoqërohet nga një fushatë informuese, e cila do të fillojë këtë vit, si dhe për të stimuluar këtë proces do të vazhdohet validiteti i targave KS.

Në këtë takim, delegacioni i Kosovës raportoi për progresin që është bërë për hapjen e zyrave të regjistrimit civil dhe gjendjes civile në katër komunat veriore, ku u theksua se procesi i rekrutimit, integrimit, trajnimit si dhe i krijimit të hapësirave të punës ka shënuar progres dhe se hapja e këtyre zyrave do të ndodhë gjatë muajit nëntor.

“Këto zyra të Qeverisë së Kosovës do të pajisin qytetarët me dokumentet e shtetësisë së Kosovës dhe të gjendjes civile”, thuhet në njoftimin e Ministrisë për Dialog.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme