Tahiri: Programi “Krejt dhe Drejt” dështimi më i madh në histori të Kosovës, është zbatuar vetëm 11.11% e planit legjislativ

Prishtinë | 30 Qer 2024 | 14:45 | Nga Natyra Salihaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në një konferencë për medie ka shpalosur, siç e quajti ai, dështimin e qeverisjes së Kurtit për zbatimin e planit legjislativ.

Tahiri tha Programi legjislativ është letërnjoftimi i secilës qeveri, andaj në këtë dokument shihet dështimi kolosal i kësaj qeverie, raporton Ekonomia Online.

“Programi ‘Krejt dhe Drejt’ i kësaj qeverie është dështimi më i madh në histori të Kosovës. Asnjë ligj i cili lidhet me politikat e programit ‘Krejt dhe Drejt’ nuk është përfunduar dhe i kanë shkelur të gjitha afatet e veta”, theksoi deputeti i Aleancës.

Sipas tij, nga 54 projektligje të parapara për periudhën janar – qershor 2024, janë miratuar vetëm 6 ose 11.11% e programit.

“Në zbatimin e programit legjislativ për vitin 2024, në periudhën kohore janar-qershor, janë paraparë 54 ligje: Prej tyre kemi vetëm 6 ligje të miratuara, apo 11.11% të programit; Projektligje të miratuara në leximin e parë kemi tri ligje apo 5.5% të programit; Projektligje në procedura në Kuvend është një ligj apo 1.85% e programit; Projektligje që nuk kanë nisur me procedura në Kuvend 44 ligje apo 81.48% e programit”.

“Këto të dhëna tregojnë për një normë e cila në histori politike dhe qeverisëse do të mbahet në mend si normë e mashtrimit përmes dokumenteve. Pra, ky është mashtrim me letra: në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, në aspektin që ndërlidhet me punë dhe mirëqenie sociale, nga 12 projektligje të planifikuara, janë miratuar katër ligje apo 33% e programit”, vazhdoi Tahiri.

“Projektligji për Skemën e Ndihmës Sociale ka pasur afatin 20 qershor të këtij viti, nuk është miratuar. Projektligji për Vlerësimin, Njohjen e Statusit, Përfitimet dhe Shërbimet për Personat me Aftësi të Kufizuara, nuk është miratuar; Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, nuk është miratuar”.

‘Pra, gjithçka që ndërlidhet me pensionistët, me qytetarët në nevojë asgjë nuk është bërë. A e ka penguar opozita në këto dështime?”

“Qe tri vjet e gjysmë e presim ligjin për sigurime shëndetësore. Ka pasur të vijë më 28 qershor, nuk ka ardhur”.

“A është kjo Qeveri që fliste për banim social? Ja projektligji për banim social nuk ka ardhur në Kuvend. Asgjë s’ka bërë qe tri vjet e gjysmë”, ka theksuar shefi i GP të Aleancës.

“Kjo Qeveri ka dështuar në të gjithë sektorët. Besimi i qytetarëve është tradhtuar”.

“Kjo qeveri është fshehur që tri vjet e gjysmë pas asaj se kanë pengesa në zbatim të programit dhe veprimet qeverisëse. Çfarë pengese ka nga opozita kjo qeveri për të zbatuar plan-programin e vet, kush e pengon?”.

“LVV-ja është partia e cila po i bën gati katër vite qeverisje, ka qenë më shumë se Aleanca. Këta po i bëjnë katër vjet, Aleanca i ka pas 18 muaj. Ky plan legjislativ që është letërnjoftimi i kësaj qeverie, tregon se premtimet kanë qenë mashtrime, një urë 6 metërshe (në Saradran) është i vetmi premtim i zbatuar”, përfundoi deputeti Tahiri.

Të ngjashme