Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka takuar sot Drejtorin e Përgjithshëm për Çështje Politike të Zyrës së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore, Kryesuesen e Zyrës përgjegjëse për Kosovën në Zyrën e Jashtme, Catherine Barnes, si dhe Ambasadorin Britanik, Ruairi O’Connell.
Së bashku me të pranishmit, Ministri i Drejtësisë ka diskutuar mbi gjendjen në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë bashkëpunimin e ndërsjellë në reformën gjyqësore, si dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ministri i Drejtësisë ka shprehur vendosmërinë në arritjen e rezultateve konkrete në drejtim të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe fuqizimit të sistemit gjyqësor.
“Përmes këtyre ndryshimeve ligjore, apo inicimit të diskutimeve përmes platformës së Rishikimit Funksional, synojmë arritjen e sundimit të ligjit në kuptimin e mirëfilltë të fjalës dhe ngritjen në efikasitet dhe llogaridhënie të këtij sistemi” ka theksuar ministri Tahiri.
Moore ka theksuar përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar ndaj fuqizimit të sundimit të ligjit në Kosovë.
“Kam diskutuar bashkëpunimin bilateral me Ministrin Tahiri dhe kam shprehur vendosmërinë tonë që të mbështesim më tutje reformat e nevojshme” ka theksuar ai pas takimit.