Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka ftuar të gjitha institucionet e veçanërisht sistemin gjyqësor që të ndihmojë në hartimin e kodit civil.
Sipas kreut të MD-së, hartimi i Kodit Civil do të ndikojë në avancimin e sistemit të drejtësisë.
“Ministria e Drejtësisë me ndihmën e Komisionit Evropian, ka filluar punën tashmë në hartimin e Kodit Civil dhe draftet e para veç se ekzistojnë . Avancimi i tyre duke i adresuar problemet praktike do ta avancojë sistemin e drejtësisë në Kosovë”.
“Përkrahja e të gjitha institucioneve në procesin e hartimit të kodit civil është tepër e rëndësishme. Në veçanti do të përmendja rolin e sistemit gjyqësor i cili çdo ditë ka të bëjë me implementimin praktik të këtij legjislacioni“, tha Tahiri.
Këto komente, Tahiri i bëri në kampanjën informuese “Çfarë do të thotë Kodi Civil për ju”.
Më tutje, Tahiri ka folur edhe për përfitimet të cilat do të kenë fushat e ndryshme në Kosovë nga ky kod.
Evitimi i konflikteve ligjore, respektimi i të drejtave të njeriut, fuqizimi i të drejtave pronësore të grave, përmirësimi i ambientit për të bërë biznes në Kosovë, janë disa nga të mirat që sipas Tahirit do të adresojë Kodi Civil.
“Përmes Kodit Civil të adresojë ndër të tjera, harmonizimin dhe modernizimin në fushën civile duke evidentuar konfliktet e ligjeve dhe përmirësimin e zbatimit të ligjit, respektimin e standardeve ndërkombëtare , në fushën e të drejtave të njeriut , respektimin e të drejtave të barabarta të gjinive, fuqizimin e të drejtave pronësore të grave dhe të drejtës së trashëgimisë , sqarimin dhe sigurimi i të drejtave pronësore për të gjithë qytetarët , përmirësimin e ambientit të bërit biznes në Kosovë si çështje kryesore drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimin në tregun e përbashkët evropian”, tha Tahiri.