Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri ka kritikuar ashpër kryeministrin Avdullah Hoti për shuarjen e task forcës kundër korrupsionit.
Ai tha se me këtë vendim, Avdullah Hoti u bë pjesë e krimit dhe korrupsionit.
“Shuarja e Task Forcës Kundër Korrupsionit, në mënyrë vetanake me një vendim ad hoc, pa analizë, pa bazë dhe kryekëput për qëllime parandalimi të luftimit të korrupsionit, ka rrezikuar statusin e të gjitha lëndëve që kanë qenë në zhvillim e sipër brenda kësaj Task Force”, tha Tahiri.
Ai tha se task forca kundër korrupsionit që e ka shuar Avdullah Hoti e ka dëmtuar rëndë shtetin edhe në raport me procesin e liveralizimit të vizave ppr edhe me partnerët strategjik nga SHBA dhe BE.
Deklarata e plotë e deputetit Abelard Tahiri:
Të dashur qytetarë
Të nderuar deputetë
Agjenda e sundimit të ligjit në Kosovë, ka stagnuar plotësisht.
Por sot, po shohim zhvillime që e tejkalojnë edhe vetë stagnimin.
Po shohim zhvillime që e kthejnë mbrapa përkushtimin për sundimin e ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.
Në fakt, po shohim krim të organizuar të sofistikuar, siç ishte rasti me 2 Milionshin.
E në vend se të merren masa për ta parandaluar të njëjtin, po merren masa për ta inkurajuar të njëjtin.
Kryeministri Hoti me një vendim skandaloz, ka shuar Task Forcën Kundër Korrupsionit në Policinë e Kosovës.
Çfarë e ka nxitur për një gjë të tillë, është mirë të na e thotë vetë, sepse dyshimet ekzistojnë e arsyet që i ka dhënë nuk mjaftojnë.
Meqë ka dështuar të arsyetojë vendimin, ka provuar ta arsyetojë veprimin.
Por në të dyja rastet ka dështuar ta fshehë të vërtetën.
Për këtë vendim skandaloz, kryeministri Hoti na është arsyetuar se baza e themelimit të Task Forcës paska qenë jo kushtetuese.
Pra për çudi, para se ai të marrë çfarëdo veprimi për ta fuqizuar rendin e ligjin, ai merr veprim për ta stimuluar kriminalitetin, dhe këtë e bën në emër të Kushtetutës.
Prandaj para se të merrem me motivin dhe dëmtimin që ia ka bërë atmosferës për rend dhe ligj, dua të merrem pikërisht me arsyetimin e tij.
E para, Task Forca Kundër Korrupsionit, nuk është kundër kushtetuese pasi që ajo nuk ka dalë jashtë kushtetutës dhe ligjit, si entitet i jashtëligjshëm e mbi ligjin.
Të gjithë ata hetues që kanë qenë pjesë e saj, kanë pasur procedura operimi e hetimi që bazohen në Kushtetutë, Kodin Penal e Procedurës Penale të Republikës e Kosovës.
Kanë qenë pjesë e Policisë së Kosovës dhe i janë nënshtruar ligjit, llogaridhënies e hierarkisë, si të gjitha departamentet tjera brenda Policisë.
Kjo Task Forcë, thjeshtë është formuar në kuadër të organizimit më të mirë të punës operative të policisë, dhe nevojës për të rritur efikasitetin kundër korrupsionit.
E dyta, themelimi i saj, ka qenë vendim tipik qeveritar për zbatim efikas të luftës kundër korrupsionit. Kryeministri Hoti është dashur ta dijë se politika nuk mund të përzihet në operativë të zbatimit të ligjit, por pikërisht qeveria i përcakton politikat për zbatimin më efikas të tij.
E treta, ajo është themeluar në koordinim të plotë me partnerët më serioz që i ka pasur Kosova, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Po të kishte qenë diçka e panevojshme, antikushtetuese dhe e jashtëligjshme, këta partner, as që do kishin marrë pjesë në këtë politikë qeveritare, e lere më që do ta kishin mbështetur zhvillimin dhe avancimin e saj.
Kjo u pa qartë dhe po shihet për çdo ditë edhe në mënyrë praktike, edhe në mënyrë deklarative.
Së katërti, ajo është themeluar për ta ndjekur krimin e korrupsionin në mënyrë të specializuar, duke pasur për mandat hetimin e veprave penale që i ka në mandat Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Ndoshta për kryeministrin Hoti, edhe Prokuroria Speciale qenka kundër kushtetuese pasi që Prokuroria si entitet ekziston, dhe s’ka pasë nevojë për Prokurori Speciale.
Së pesti, shuarja e Task Forcës Kundër Korrupsionit, në mënyrë vetanake me një vendim ad hoc, pa analizë, pa bazë dhe kryekëput për qëllime parandalimi të luftimit të korrupsionit, ka rrezikuar statusin e të gjitha lëndëve që kanë qenë në zhvillim e sipër brenda kësaj Task Force.
E gjashta, Kryeministri Hoti e ka anashkaluar faktin se në kuadër të reformave institucionale, është duke ndodhur Rishikimi Funksional i Sektorit të Rendit dhe Ligjit.
Sa kam qenë ministër i drejtësisë, kemi nisur këtë reformë ndër më të mëdhatë që ka ndërmarrë Republika e Kosovës, për të pasur qartësi të plotë të kompetencave dhe mekanizmave që i duhen shtetit për ta zbatuar rendin e ligjin dhe për ta luftuar krimin e korrupsionin.
Ministri aktual i Drejtësisë ka shprehur vullnet për ta vazhduar reformën ndërsa kryeministri jo vetëm që nuk e ka mbështetur, por tashmë është bërë pengesë e këtij procesi, gjë që dëshmon edhe shuarja e Task Forcës.
Pra kryeministri e ka pasur aq me ngut shpërbërjen e kësaj Task Force, saqë as një takim të vetëm nuk e ka pasur paraprakisht me bartësit e kësaj reforme, së paku për t’i pyetur se ku qëndron vlerësimi i performancës së kësaj Task Force.
Dhe mbi këtë bashkësi faktesh të pa mohueshme, ai ka gjetur një arsyetim të pa bazë për vendimin e tij.
Të nderuar kolegë deputetë,
Kur je në opozitë, mund të flasësh për keqqeverisjen sepse i ke argumentet, ndërsa kur je në qeveri, nuk mund të arsyetohesh me argumente sepse të flet puna.
Puna e parë e Kryeministrit Hoti për rend dhe ligj, ka qenë shpërbërja e Task Forcës që forcon rendin dhe ligjin.
Kjo nuk është rastësi. Ky është veprim me paramendim dhe pa arsyetim.
Dëmet e këtij vendimi, jo vetëm që po i shohim në mënyrë deklarative nga partnerët tanë, por do t’i shohim shumë shpejt edhe në praktikë.
Jo vetëm që do t’i shohim në raport me aspiratat tona integruese e në procesin e liberalizimit të vizave, por do t’i shohim edhe në trimërinë që e kanë marrë akterët e kriminalitetit.
Prandaj, konsideroj se veprimi skandaloz i Kryeministrit Hoti për shuarjen e Task Forcës Anti Korrupsion brenda Policisë së Kosovës, ka rrezikuar sigurinë e rendit dhe ligjit, ka rrezikuar sigurinë e hetuesve që tashmë janë ekspozuar si viktima të një vendimi qeveritar, dhe kanë rrezikuar vetë sigurinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës.