Tahiri kundër propozimit për seanca një herë në javë: Rrezik për stabilitetin institucional

Prishtinë | 17 Maj 2025 | 15:34 | Nga Ekonomia Online

Besnik Tahiri nga AAK, ka reaguar ashpër ndaj propozimit për mbajtjen e vetëm një seance plenare në javë në Kuvendin e Kosovës. Sipas tij, ky është një propozim antikushtetues që synon të normalizojë shkeljet kushtetuese përmes përfshirjes së të gjithë akterëve në këto shkelje.

Në një reagim në profilin e tij në Facebook, Tahiri e cilëson këtë iniciativë si një “eksperiment” dhe “shpikje” që rrezikon të shndërrojë qeverisjen në një model tranzicional autoritar, ku Kuvendi vihet në hije, madje deri në atë pikë që udhëheqësi i seancës të mund të shërbejë si ushtrues detyre i Presidentit.

Ai thekson se përmes këtij propozimi po përcillet mesazhi i rrezikshëm se vendi mund të mbahet pa institucione të reja të dala nga zgjedhjet, për aq kohë sa institucionet e drejtësisë nuk marrin një qëndrim mbi konfliktin e interesit midis detyrës së kryeministrit dhe asaj të deputetit.

Për Tahirin, kjo është një thirrje për legjitimimin e bllokadës dhe një ftesë e hapur për rrënimin total të stabilitetit institucional dhe ndarjes së pushteteve.

“Ky është një hap drejt kaosit institucional”, përfundon Tahiri.

Të ngjashme