Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka reaguar pas konferencës për medie të Lëvizjes Vetëvendosje për rastin e Astrit Deharit.
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri e akuzon Kurtin se po përpiqet t’u vë gjërave konkrete mjegullën e tij.
Tahiri ka shtuar se tashmë prokurori i rastit, përmes ambasadës së Zvicrës ka vënë kontakte dhe është në komunikim e sipër me institucionin zviceran, me qëllim të qartësimit të plotë të këtij rasti.
Ky është postimi i plotë i tij:
Që në fillim të mandatit jam përkushtuar për të bërë të mundur një superekspertizë ndërkombëtare për rastin Dehari, madje me kërkesë të prindërve, kemi tejkaluar edhe rekomandimet e Kuvendit duke bërë të mundur që kjo ekspertizë të kryhet në një institut në Zvicër, konform kërkesës së tyre.
Albin Kurti vazhdon të manipulojë me një diskurs që në njërën anë privatizon individin, ndërsa në anën tjetër është përjashtues ndaj shoqërisë dhe institucioneve shtetërore. Këtë praktikë e zbatoi edhe sot gjatë një konference për medie. Ndjej vërtetë keqardhje për mënyrën se si ende manipulohet me rastin e të ndjerit Dehari dhe mbi mënyrën se si Albin Kurti përpiqet t’u vë gjërave konkrete, mjegullën e tij ideologjike.
Dua t’i kujtoj Albinit, se Astrit Dehari, para se të ishte anëtar i Vetëvendosjes, ishte qytetar i Republikës së Kosovës dhe Republika e Kosovës ka përgjegjësi për të gjithë qytetarët e saj pa dallim përkatësie politike, shumëfish dhe në mënyrë absolute në raport me pretendimet e përgjegjësisë që mund t’i kërkojë një grup politik, kushdo qoftë ai.
Dua të njoftoj të gjithë qytetarët se Prokurori i rastit, përmes Ambasadës së Zvicrës ka vënë kontakte dhe është në komunikim e sipër me institutin zviceran, me qëllim të qartësimit të plotë të këtij rasti.