Lista Serbe në zgjedhjet e 6 tetorit fitoi mbi 6 për qind të votave, duke siguruar shumicën e ulëseve në parlamentin e Kosovës nga ana e minoritetit serb.
Por kjo nuk ia garanton asaj hyrjen në qeveri, nëse nuk arrin një marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje.
Njohësi i çështjeve politike, Ramush Tahiri, në një prononcim për EkonomiaOnline thotë se qeveria e ardhshme duhet të jetë pa Listën Serbe, pasi që konsideron se kjo parti do t’i sjell vetëm probleme Kosovës.
Ai thotë se Kurti e ka obligim të ketë një ministër serb, por jo me çdo kusht ai duhet të jetë nga radhët e Listës Serbe. Beson e Kurti nuk do të varet nga kjo listë, pasi që i ka votat për të formuar qeverinë me shumicë shqiptare.
“Qeveri pa Listën Serbe duhet të ketë. Sepse Lista Serbe politikisht nuk i bën mirë Kosovës dhe kjo Listë nuk është në bashkëqeverisje në qeverinë e Kosovës. Nuk besoj se do ta ketë partner të koalicionit Albin Kurti dhe nuk besoj se do ta pres 10 orë sa e priti Haradinaj kur u themelua qeveria e tij për t’ia bërë votat. Me Kushtet duhet të jetë një serb etnikisht serb që përcaktohet edhe një i minoriteteve të tjera nëse qeveria i ka dy ministra. Por jo i partisë politike që nuk është në koalicion”, thotë ai.
Madje politologu Tahiri thotë se Kurti nuk ka asgjë të përbashkët me Listën Serbe, ashtu sikurse me PDK-në, ndërsa shton se dallimet me LDK-në dhe Nismën mund t’i eliminojë përmes programit të përbashkët qeverisës.
“Albin Kurti nuk ka asgjë të përbashkët me Listën Serbe. Ato që i ka me LDK-në edhe dallimet që i ka edhe me Nismën ai i sublimon në program qeveritar. Por nuk ka të përbashkët me PDK-në dhe thotë jo nuk do të bëj koalicion, ose me AAK-në. Është e drejtë e tij sepse populli ia ka dhënë vullnetin ta bëjë qeverinë vet”, thotë ai.
Përveç që do të arrijnë marrëveshje për të bashkëqeverisur me vendin, Tahiri beson se njw qeveri e përbërë nga VV-ja dhe LDK-ja do të arrijë edhe marrëveshjen me Serbinë.
Thotë se kjo marrëveshje nuk varet nga “krahu i luftës”, por nga votat e deputetëve, të cilat duhet të jenë 80 sosh për t’u ratifikuar në Kuvend.
“VV-LDK mund ta përmbyllë çdo marrëveshje nëse i ka 61 vota. Me kusht që këtë marrëveshje me 80 vota e kalon në Kuvendin e Kosovës. Pa marr parasysh a është krah i luftës a është krah i paqes, aq më parë që Rexhep Selimi është krah i luftës që nga fillimi, bile ai është i pari që ka dalur pa maskë në varrimin e profesorit Halil Gecit. Bisedimet me Serbinë nuk është e domosdoshme t’i zhvillojë ai që ka luftuar me Serbinë”, thotë ai.
Tahiri thotë se meritor për politikat shtetërore janë të gjithë, andaj beson se Albin Kurti është kredibil, po aq sa komandantët e luftës për të udhëhequr bisedimet me Serbinë.
Megjithatë shton se barrën kryesore për ratifikim e marrëveshjes e ka Kuvendi i Kosovës, i cili ia jep “dritën e gjelbër”.
“Kontributi për politikat e shtetësisë është i të gjithëve dhe nuk është vetëm me armë, por i çdo fushe tjetër dhe si i tillë pranohet, sepse është lëvizje popullore dhe luftë e armatosur e të gjithë popullit. Edhe ai që ka qenë në front edhe ai që ka qenë prapavijë edhe ai që ka qenë në diplomaci. Në këtë bazë unë nuk konsiderojë që Albin Kurti ka më pak kredibiliteti secili komandant i luftës. Jo pse ka qenë në burg të Serbisë i akuzuar për terrorizëm ose për përkrahje të UÇK-së, por thjesht është një atdhetar i cili ka dëshmuar atdhetarizmin e tij. Por fundi-fundi duhet të miratohet në Kuvend. Kuvendi ia jep vizën se a është marrëveshje e mirë apo është marrëveshja e keqe”, thotë ai.