Jo shumë gra llogaritet se trashëgojnë pronë në Kosovë. Statistikat thonë se është vetëm 5 % e tyre që e gëzojnë këtë të drejtë. Një ligj ekzistues nuk kishte arritur të krijonte barazi në këtë drejtim. Andaj, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka marrë iniciativë për ta ndryshuar këtë ligj, dhe tashmë ai është në Kuvend dhe pret miratimin.
Në një status në Facebook, Tahiri ka thënë ky ligj synon të krijojë ambient të barabartë për trashëgiminë në pronë.
“Për këtë qëllim kam sponsorizuar projektligjin për plotësimin e Ligjit për Trashëgiminë në Kosovë, synimi i vetëm i të cilit është fuqizimi i të drejtave të grave për trashëgimi. Ky projektligj që pret shqyrtimin në Kuvend, do evitojë problemet që janë hasur me ligjin ekzistues, do forcojë rolin e gruas në trashëgimi duke ofruar mundësi të trajtimit të çështjeve trashëgimore edhe të bashkëshortëve jashtëmartesor, si dhe do rrisë efikasitetin dhe shkurtojë afatet kohore për shqyrtimin e lëndëve trashëgimore duke ndikuar në rritjen e sigurisë juridike”, ka thënë ai, teksa ka theksuar se ky projektligj është hap konkret që fuqizon konceptin e barazisë gjinore në çështjet e trashëgimisë dhe si i tillë, avancon pozitën e gruas në shoqëri”.
Ligji në fjalë sipas Tahirit do të shqyrtohet nga deputetët në seancën e radhës.
“Konsideroj se deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë një rast të mirë për t’i dhënë përgjigjeje unike fuqizimit të rolit të gruas në çështjet e trashëgimisë dhe ftoj për miratimin e tij në shqyrtimin e parë”, deklaron ministri i Drejtësisë.