Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, bën të ditur se e ka sponsorizuar Projektligjin për plotësimin e Ligjit për Trashëgiminë në Kosovë.
Thotë se këtë po e bën, për t’i fuqizuar gratë në këtë drejtim, pasi deri tani vetëm 5% e tyre trashëgojnë pronë.
“Aktualisht, vetëm 5 % e femrave trashëgojnë pronë. Kjo nuk është mirë për shoqërinë tonë dhe duhet të ndryshojë rrënjësisht. Ligji aktual nuk ka ndryshuar situatën. Për këtë qëllim, kam sponsorizuar projektligjin për plotësimin e Ligjit për Trashëgiminë në Kosovë, synimi i vetëm i të cilit është fuqizimi i të drejtave të grave për trashëgimi”, ka shkruar Tahiri, në faqen e tij në Facebook.
“Me ndryshimet që do të bëjmë, do forcohet roli i gruas në trashëgimi duke ofruar mundësi të trajtimit të çështjeve trashëgimore edhe të bashkëshortëve jashtëmartesor, do rrisë efikasitetin si dhe shkurtojë afatet kohore për shqyrtimin e lëndëve trashëgimore. Hapa të tillë do të ndikojnë në rritjen e sigurisë juridike”.
“Ky projektligj, është hap konkret që fuqizon konceptin e barazisë gjinore në çështjet e trashëgimisë dhe si i tillë, avancon pozitën e gruas në shoqëri, ashtu siç e meriton”, ka theksuar ministri i Drejtësisë.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do ta kenë para vetës këtë projektligj, të mërkurën.
Ministri Tahiri ka thënë se deputetët kanë rastin e mirë për t’i dhënë përgjigje unike fuqizimit të rolit të gruas në çështjet e trashëgimisë, duke e miratuar projektligjin.