Tahiri: Luftimi i korrupsionit nga brenda, për institucione me integritet

Prishtinë | 20 Dhj 2017 | 16:22 | Nga

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se synon që të kthej besimin e qytetarëve në institucione vendore, duke rritur integritetin e tyre.

Në një status në Facebook, pas miratimit në Qeveri të Koncept Dokumentit për Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe për Deklarimin dhe Prejardhjen e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik, ministri Tahiri ka pohuar se do të arrij këtë synim, duke luftuar korrupsionin nga brenda.

“Integriteti është themeli i çdo qeverisje të mirë. Kthimi i besimit të qytetarëve në institucionet vendore, është synimi kryesor i luftimit të korrupsionit nga brenda, duke u siguruar që zyrtarët e lartë publik nuk keqpërdorin pozitën e tyre për të pasuruar apo fuqizuar veten. Miratimi i Koncept Dokumentit për Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe për Deklarimin dhe Prejardhjen e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik, do t’i hapë rrugë ndryshimeve ligjore të domosdoshme në zhvillimin e qasjes “zero tolerancë” ndaj korrupsionit, në mënyrë që të ndërtohet një sistem i fuqishëm institucional, i orientuar drejt rezultateve konkrete në luftën kundër këtyre dukurive negative” ka shkruar Tahiri.

Ministri Tahiri ka pohuar se të gjitha këto do të reflektohen në dy ligje, të cilat drejtpëdrejt do të fuqizojnë Agjencinë Kundër Korrupsionit.

“Koncept dokumenti i miratuar sot do të fuqizoj Agjencinë Kundër Korrupsionit, e cila do të ndjek politika të pa kompromis ndëshkimore në verifikimin e prejardhjes së pasurisë. Të gjitha këto do të reflektohen në rishikimin e dy ligjeve, Ligjit për Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë së zyrtarëve të lartë publik”, ka përfunduar Tahiri.

Të ngjashme