Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq ka thënë mbrëmë për mediat serbe se nëse Kosova anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), atëherë do të propozoj që të ndërpritet dialogu që zhvillohet në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit.
Këtij paralajmërimi të Nikoliqit i është përgjigjur ministrja për Dialog, Edita Tahiri. Ajo ka thënë në një prononcim për Indeksonline se nëse në gjë e tillë do të ndodhte, atëherë do të ndalej edhe rruga e Serbisë për në Bashkimin Evropian.
“Nëse Serbia mendon ti ndal bisedimet në Bruksel pas anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, atëherë do t’ia ndal vetes rrugën për BE. Kjo për Nikoliqin nuk është problem sepse ai krejt çka sheh është Rusia, sepse ka një shikim të mbrapsht në politikat e jashtme”, ka thënë Tahiri.
Sipas saj, mbase zyrtarët tjerë të Serbisë do të duhej të shihnin me rezerve këto qëndrime të Nikoliqit, shkruan Indeksonline.
“Ata do të duhej t’i shihnin me rezerva, dhe kështu do të qartësojnë se a e dëshirojnë vërtet integrimin evropian për të cilin një kusht themelor është dialogu i Brukselit për fqinjësi të mirë”, ka përfunduar Tahiri.
Kujtojmë se Nikoliq tha se do të propozoj që të ndalet dialogu nëse Kosova hyn në UNESCO, pasi sipas tij, është e pakuptimë që kjo gjë të ndodh pa u diskutuar fare në Bruksel.