Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se sot është dita e parë e vitit të dytë me qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti, ndërsa qytetari i Kosovës është më i pasigurt dhe më i pashpresë.
Tahiri ka ironizuar me Qeverinë Kurti II duke thënë se deklarata populliste “Krejt dhe Drejt” ishte parulla që konfirmon se mungesa e një plani të qartë është vetë plani i stagnimit.
“Në ditën e parë të vitit të dytë me qeverinë Kurti II, me problemet globale e mosveprimin nacional qytetari i Kosovës, është më i pasigurt dhe më i pa shpresë. Deklaratat populliste, u treten si fluska, kapja, ç’ kapja, avancuan në deklarime qesharake për punësime, shkarkime e ngarkime, me filtera e bojlera, pa ndonjë rezultat”.
Sipas tij, puna e vetme e mirë e kësaj qeverie është vetëm krijimi i Fondit të Sigurisë.
“Një vit pas, Kosova është në udhëkryq pa vizion, e qytetari më i varfër. Reagimi i vonshëm, e një qeveri e arsyetimeve ka bërë që: · Energjia të rritet 100% në kurriz të qytetarit; · Derivatet dhe secili produkt ushqimor është rritur në nivele të pa krahasueshme; · Përderisa paga në sektorin publik e privat ka mbetur e njëjtë. Inflacioni ka zbritur e devalvuar vlerën e pagës, e qytetari është vënë në pasiguri e panik; Politikat e Qeverisë nga veprime kanë mbetur në fraza shfajësimesh e bartje përgjegjësish, ndërkaq vendimmarrja i ngjason logjikës, ‘mos vepro, pengo, sepse e gjejmë fajtorin’. Institucionet e pavarura dhe ato qeveritare, kanë vendosur kriter ç’kapje e profesionalizmi, mbishkrimin e rrjeteve sociale ‘Krejt dhe Drejt’. Në rrafshin ndërkombëtar Kosova ka ulur kredencialet, me komunikim të gabuar, e mos besueshmëri ndaj partnerëve”.
Tahiri ka deklaruar se raporti me ShBA-në është dëmtuar dukshëm, ndërsa shton se pozicioni i Kosovës me vendet e BE-së është në pikën më të ulët që ka qenë ndonjëherë.
“Dialogun e trajtojmë në nivel të teknikëve, ndërsa raportin me Serbinë e trajtojmë prej teme në temë, sikurse rasti i mbajtjes së zgjedhjeve më 3 prill. Ndërkaq, arritja e marrëveshjes finale, që përmbyllet me njohje, duket i pa qartë. Nëse pyet dikush cila është puna e vetme e mirë e kësaj qeveria, lehtësisht e dimë se është krijimi i Fondit të Sigurisë”.