Nesër do të fillojë procesi i informimit dhe konsultimit të publikut për tri projektligjet e administratës publike: Projektligji për Administratën Shtetërore, Projektligji për Zyrtarët Publik si dhe Projektligji për Pagat.
Këtë e ka bërë të ditur Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri.
“I ftoj fillimisht të gjithë akterët e institucioneve të administratës së shtetit, partitë parlamentare, shoqërinë civile dhe mediat të përfshihen në këtë proces, pasi që kjo pako e ligjeve duhet ta ndërtojë strukturën e administratës publike për shumë vite që po vijnë. Është tepër me rëndësi që zëri dhe kontributi i drejtpërdrejt i publikut të përfshihet në këto tri ligje”, ka thënë Tahiri.
Sipas tij, këto ligje do të sjellin më shumë drejtësi dhe barazi, si në titull ashtu edhe ne koeficient dhe nivelizim të pagave në gjithë sektorin publik.
Në takimin e përbashkët, Kryeminsitri Haradinaj, tha se Projektligji për Paga ka kosto financiare, por garanton ruajtjen e nivelit të pagave për të gjithë të punësuarit në administratë publike dhe të punësuarve tjerë publikë në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë.
Ndërkaq, ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhilar, e njoftoi Haradinajn për procesin e deritashëm për hartimin e këtyre projektligjeve, duke theksuar se në muajin qershor të këtij viti do të përcjell në Qeveri pakon ligjore të 3 ligjeve bazike të administratës publike.