Tahiri për nepotizmin: Nuk kemi dhënë mesazhe të mira për BE-në

Prishtinë | 20 Mar 2019 | 11:31 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka raportuar në Komisionin për Integrime Evropiane për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe Agjendës për Reforma Evropiane (ERA), raporton Ekonomia Online.

Gjatë raportimit deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri, tha se krimi i organizuar ka marr një hov të madh dhe sipas tij qytetarët si arsye e këtij problemi e kanë humbur besimin në institucione.

“Jam i shqetësuar dhe brengosur me atë çka po ndodhë me institucionet tona dhe me ndërmarrjet publike, e krejt këto i kemi bërë na. Ne më nuk mundemi që në mënyrë morale tu mbajmë njerëzve ligjërata se si luftohet krimi, por duhet të veprojmë. Me këtë shkallë enorme të krimit të organizuar ne nuk po na pranojnë qytetarët dhe nuk jemi të dëshirueshëm”, u shpreh Beqiri.

Deputeti Ismajl Kurteshi nga radhët e LVV tha se në Ligjin për Konfiskim të Pasurisë të Zyrtarëve Publik nuk është shënuar asnjë rast. Ai kërkoi nga ministri Tahiri ta informojë se sa po zbatohet ky ligj.

“Ligji për Konfiskim të Pasurisë ka kaluar, por nuk është shënuar asnjë rast i këtij akti penal, asnjë zyrtari publik nuk iu është konfiskuar pasuria”, tha Kurteshi.

E ministri Tahiri pati përgjigje për deputetët.

Ai tha se Kosova ofron kushtet më të mira në rajon për trajtimin e grave në Qendrat Korrektuese.

“Çështja e paraburgimeve të gjata është një çështje e gjyqësorit dhe ne nuk kemi kompetenca të ndërhyjmë. Sa i përket çështjes së trajtimit të grave nëse krahasohemi me rajonin Republika e Kosovës ofron kushtet më të mira për trajtimin e grave në Qendrat Korrektuese. Kemi edhe një mbi popullim në qendrën e Dubravës dhe kjo është një shkelje e të drejtave të njeriut dhe nuk kam mundur që këtë çështje ta rregullojë brenda një muaji”, tha ministri Tahiri.

Sa i përket nepotizmit, sipas Tahirit Kosova nuk ka dërguar mesazhe të mira në Bashkimin Evropian, madje sipas tij kjo çështje mbetet ende një sfidë për dikasterin që ai drejton.

“Fatkeqësisht në periudhën e fundit nuk kemi dërguar mesazhe të mira mbi punën e institucioneve tona në BE. Çështja e nepotizmit dhe rekrutimit të pozitës në Qendra Korrektuese ka qenë një sfidë, e thashë që nuk kemi dhënë mesazhe të mira. Konfiskimi i pasurisë ka qenë pika jonë më e dobët si institucion”, tha ai, raporton EO.

Sipas Tahirit papërgjegjësia e prokurorëve dhe gjyqtarëve do marrë një adresë, por sipas tij Zyra e Prokurorit Disiplinor deri tash nuk ka qenë asnjëherë efektive.

“Kemi një kalim të barrës të provës nga prokurori tek i dyshuari që më herët nuk ka qenë. Çështja e papërgjegjësisë së gjyqtarëve, deri tash kemi pasë Zyrën e Prokurorit Disiplinor deri tash ka qenë shumë efektive. Kemi arrit që këtë ta dërgojmë edhe në Këshillin Prokurorial”, tha Tahiri.

Ai tha se Kosova si shtet po çalon ende në zbatimin e ligjeve.

“Janë krijuar instanca që shpresoj që nuk do të ketë pengesa në zbatimin e këtyre ligjeve sepse ne shohim që çalojmë si shtet në zbatimin e ligjeve. Do vazhdojë me agjendën time në implementim të këtyre ligjeve dhe në krijimin e mekanizmave dhe nuk do lëshojmë pe”, u shpreh Tahiri.

Deputeti nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj, tha se aferat e korrupsionit dhe nepotizmi tashmë janë disa nga arsyet që Kosova nuk ka marrë dritën jeshile për liberalizimin e vizave nga BE-ja.

“Ne kemi nevojë për masa konkrete sepse me fasada qytetarët janë ngopur pasi që edhe rezultatet janë jo shumë frytdhënëse. Aferat e korrupsionit dhe nepotizmi kanë bërë që Kosova mos ta marrë dritën jeshile për liberalizim të vizave. Hallkat zingjirore të sistemit të drejtësisë në vend duket se janë ç’akorduar fare e këtu kemi shembuj, si rasi i prokurorit Blakaj me veteranët si dhe rasti i Gylenistëve”, tha ai.

E deputeti nga radhët e PSD-së, Visar Ymeri, tha se ministri Tahiri duhet të merret edhe me rastet vdekjeve në burg, madje si një nga to përmendi edhe rastin e aktivistit të ndjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit rast ky i cili sipas Ymeri ka mbetur nën hije.

“Kemi shumë raste që kanë mbetur nën hije, siç është rasti i 5 aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje si dhe rastet e vdekjeve në burg siç është rasti i Astrit Deharit, ju nuk duhet të thoni se ne nuk përzihemi në këto raste pasi që duhet të merrni masa. Qytetarët tashmë kanë krijuar mendimin e tyre se drejtësia nuk është e barabartë për secilin dhe kjo nuk jep tashmë kurrfarë perspektive për të jetuar në Kosovë”, u shpreh ai.

Deputetja e LVV-së, Fatmire Kollçaku, tha se rastet e viktimave seksuale nuk janë vetëm raste si një nga përmendi rastin e viktimës nga Drenasi të cilin e cilësoi si një krim të organizuar.

“Trajtimi i rasteve të viktimave seksuale ende mbetet një enigmë e pazgjidhur. Kemi edhe rastin e viktimës nga Drenasi rast ky i cili nuk është vetëm një rast, por një krim i organizuar”, tha ajo.

Ministri Ableard Tahiri tha se vendimet jo të drejta dhe absurde që merren nga gjyqtarët janë si pasojë e përvojës së vogël të gjyqtarëve ku sipas Tahirit gjysma e tyre janë më me pak se 5 vite përvojë.

“Ligji për Drejtësi nuk është një fasadë, por një ligj dhe duhet të zbatohet në tërësi. Në vitin 2017 Kosova i ka pasë 320 gjyqtarë ndërsa tani ka 430 gjyqtarë, por gjysma e gjyqtarëve kanë vetëm 5 vite përvojë dhe mendoj që kjo është e dëmshme. Ne duhet ta vendosim një komunikim të qartë me Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial. Si institucione kemi dështu në 20 vitet e fundit të krijojmë një relacion të mirëfilltë me Këshillin Prokurorial dhe Gjyqësor. Kemi rastin e shkeljes së dy këmbësorëve ky dorasi u dënua vetëm me 3 vjet burgim dhe mendoj që kjo nuk është në rregull e kjo vjen si pasojë kur kemi gjyqtarë me më pak se 5 vite përvojë”, tha Tahiri.

Të ngjashme