Në Seancën e Kuvendit, Sami Kurteshi i bëri pyetje ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri lidhur me mbulimin e shpenzimeve për një hetim ndërkombëtar për rastin Dehari.
“Nuk keni sjellur as informatë se çfarë ka ndodhur deri më tani apo se çfarë do të ndërmirren në të ardhmen me rastin në fjalë”.
Ministri Tahiri tha se javën e ardhshme do të dërgohet lënda në Zvicër për hetim pasi që deri më tani është përkthyer materiali, raporton Ekonomia Online.
“Në këtë javë ka përfunduar përkthimi i lëndës, ka qenë një lëndë voluminoze me një material 3000 faqe, në këtë javë ka përfunduar përkthimi i saj. Jam i informuar nga Prokuroria e shtetit që javën që vjen, nga e hëna, lënda do të dërgohet përmes atasheut policor të Ambasadës së Zvicrës që është në Kosovë drejt institutit në fjalë”.
“MD nuk është ndërlidhës në këtë rast, është direkt prokurori i rastit përmes prokurorisë së shtetit dhe atasheut policor në këtë rast ambasadës së Zvicrës. Nga java e ardhshme e tutje rasti do t’i bartet konform marrëveshjes që është arritur mes prokurorisë së shtetit dhe institutit në fjalë. Pra deri tani ka qenë në fazën e përkthimeve, nga java e ardhshme do t’i shkojë Institutit në Zvicër për hetim”.