Tahiri: Pozita e presidentit s’duhet të jetë pjesë e pazareve politike, VV-LDK ta shfrytëzojnë rastin historik

Prishtinë | 12 Dhj 2019 | 12:03 | Nga Bashkim Bekolli Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ende nuk po arrijnë të gjejnë formulën për të formuar qeverinë e ardhshme. Kjo për shkak të pozitës së presidentit, raporton Ekonomia Online.

Një takim ndërmjet dy liderëve të këtyre partive u zhvillua edhe mbrëmë, por që nuk u arrit të kapërcehet kjo mosmarrëveshje.

Ata u pajtuan vetëm për të intensifikuar përpjekjet për të arritur marrëveshjen për bashkëqeverisje.

Njohësi i çështjeve politike në vend, Ramush Tahiri thotë për Ekonomia Online se pozita e presidentit nuk do duhej të jetë pjesë e pazareve politike, pasi që kjo pozitë konsiderohet si unifikuese dhe assesi nuk duhet t’i takojë një subjekti të caktuar politik.

Ai thotë se për shkak të kësaj pozite që çdo herë ka qenë politike, në të kaluarën janë shkaktuar ngërçe dhe probleme politike.

“Në asnjë mënyrë presidenti nuk është dashur të jetë pjesë e pazareve dhe s’duhet të jetë pjesë e pazareve. Sepse presidenti ka mënyrë tjetër të zgjedhjes dhe nuk është pjesë e ndarjes së funksioneve të pushtetit. Presidenti ka mandat ndryshe dhe duhet të jetë faktor unifikues, jo faktor që e përkrahë një parti dhe që del vetëm prej një partie. Kosova ka pasur telashe në të kaluarën pikërisht për shkak të këtij koncepti që presidenti të jetë pjesë e pazareve politike dhe kriza atëherë do të jetë e pranishëm me rënien e qeverisë sepse humbet legjitimiteti i presidentit”, thotë ai.

Tahiri thotë se vendosja e pozitës së presidentit në tavolinën e partive politike po bëhet për kapje të pushtetit dhe jo për interesa shtetërore, pasi që vlerëson se zgjedhjet në vend janë mbajtur për të qeverisur, e jo për të ndarë pushtete.

“Partitë politike kanë vënë në lojë pozitën e presidentit duket nga fakti i kapjes së pushtetit dhe nga fakti i sigurimit të mbetjes në pushtet dhe kushtëzimit të njëra-tjetrës, por edhe nga fakti i prodhimit të krizës, ose krejt ose asgjë. Përndryshe nuk është kushtetuese, nuk është ligjore dhe nuk tregon synimin e mirë, sepse zgjedhjet mbahen për me qeverisë e jo për të ndarë pushtet dhe jo partizim të institucioneve shtetërore. Sepse nëse sot merren vesh për një pozitë të presidentit që do të vjen pas 1 viti, nuk është vend i trashëgueshëm, dhe nuk duhet partitë të kushtëzojnë apo premtojnë njëra-tjetrës”, thotë ai për EO.

Megjithatë Tahiri vlerëson se këto dy parti e kanë fituar besimin qytetar për të udhëhequr me qeverinë dhe se nuk duhet ta humbin shansin historik, pasi që deri më tani nuk ka ndodhur që opozita e djeshme të drejtojë ekzekutivin.

“Populli pret ndryshime, ka votuar për ndryshime dhe ndryshimet janë te qeverisja e re që bëhet ndërmjet VV-së dhe LDK-së. Të gjitha variantet të tjera dhe koalicionet janë provuar, vetëm kjo nuk është provuar dhe asnjëherë në Kosovë nuk është provuar që opozita e djeshme të bëhet pushtetar siç është shansi sot. Dhe kjo dëshmon që do të ketë më shumë ideal dhe më shumë do të punohet për Kosovës sesa do të punohet për veti dhe për partinë. Ky është shansi historik edhe për VV-në edhe për LDK-në që ta qojnë vendin përpara po edhe që të tregojnë se mund të qeverisin me sinqeritet”, thotë ai.

Takimet ndërmjet Kurtit e Mustafës pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim në përpjekje për të tejkaluar krizën që u prodhua pas kërkesës së PDK-së për të pasur pozitën e presidentit, pozitë kjo që pritet të lirohet në prill të vitit 2020, atëherë edhe kur i skadon mandati 5-vjeçar Hashim Thaçi.

Të ngjashme