Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në një dëgjim publik të organizuar nga Komisioni për legjislacion, mandate dhe imunitete në Kuvendin e Kosovës, me rastin e Javës Kundër Korrupsionit, ka paraqitur prioritetet e ministrisë që e drejton në raport me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Tahiri, para anëtarëve të komisionit dhe të shoqërisë civile, tha se është i përkushtuar që të ketë zero tolerancë ndaj korrupsionit.
Ai tregoi se po përgatitet plotësimi i Ligjit për Agjencinë Kundër Korrupsionit, duke synuar luftimin më efikas të korrupsionit. “Projektligj tjetër mjaft i rëndësishëm është Projektligji për parandalimin e konfliktit të interesit, i cili dhe është pjesë e agjendës evropiane të reformave”.
“I rëndësishëm për luftimin e korrupsionit është dhe Projektligji për disiplinën e gjyqtarëve. Është nevojë imediate që të trajtohen përgjegjësitë e tyre”.
“Ndryshimet në Kod Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale, po ashtu, do të na ndihmojnë në luftën kundër korrupsionit”.
Shaip Havolli, drejtor i Agjencinë Kundër Korrupsionit, tha se beson që me ligjin e ri për këtë institucion do t’i japë edhe më shumë hapësirë në luftën kundër korrupsionit.
“Gjatë këtij viti, AKK ka pranuar mbi 200 informata, nga të cilat mbi 100 raste i ka dërguar në prokurori. Këtë vit kemi trajtuar mbi 130 raste të konfliktit të interesit. Po besojmë që me ligjin e ri do të rregullohet çështja që agjencia të ketë mundësi pak më të madhe që të detyrojë zyrtarë që të deklarojnë pasurinë”.
“Sa i përket Strategjisë Kundër Korrupsionit, veç e kemi kaluar në qeveri. Për më shumë se dy javë jemi munduar me ba më të mirën për këtë strategji po besoj që shumë shpejt do të vijë edhe në Kuvend”.
“Institucionet e drejtësisë janë të udhëhequra me persona kryekëput politikë”
Betim Musliu, nga Instituti për i Kosovës për Drejtësi, tha se po mungon vullneti politik për ta luftuar korrupsionin.
Sipas Musliut, institucionet e drejtësisë janë të udhëhequra me persona kryekëput politik.
“Ajo që ka munguar dhe po mungon është vullneti praktik për të pasur luftë kundër korrupsionit. Ajo që ka munguar është vullneti politik për me pas ndryshime në këtë mendësi që është bërë në të gjitha institucionet publike. Problemi më i madh është që tash është rrit buxheti të shohim se si do të kaloj më të madhe nëse do të ketë rritje të buxhetit atëherë ky do të jetë një lajm i mirë”.
“Mua më shqetëson sot është se në sistemin e drejtësinë kemi djem shumë të mirë e që janë shumë profesional e që sot për sot janë në margjina sepse nuk janë lejuar që të jenë në pozitat që i meritojnë për t’i udhëhequr institucionet e drejtësisë. Institucionet e drejtësisë janë të udhëhequra me persona kryekëput politik”.
“Hallin më të madh në krejt këtë monitorim që ne e bëjmë e kemi me njerëz që janë me integritet të kontestuar. Nuk mund të ketë luftë lundër korrupsionit pa e pasur edhe njëherë një pastrim të këtij niveli të drejtësisë. Ky sistem ka nevojë që këta gjyqtarë edhe prokurorë me i la mirë”.
Albulena Haxhiu, kryetare e komisionit, tha se Ministria e Drejtësisë nuk ka një strategji të qartë.
“Pa një proces të ‘Vetingut’ nuk kemi me mujt me pa sistem të pavarur të drejtësisë në Kosovë”. Ajo tha se në këtë proces mund të merret shembull Shqipëria.
“Nuk është e vërtetë se buxhetin e keni 61 milionë. Nëse vazhdojmë kështu duke mos e mbështet sistemin e drejtësinë nuk do të mund të luftojmë krimin e organizuar dhe korrupsionin”, u shpreh Haxhiu.