Tahiri: PSRK-së do t’i shtohen 5 prokurorë, sfidë numri i madh i lëndëve nga EULEX-i

Prishtinë | 24 Kor 2018 | 15:23 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, dhe kryeprokurori Aleksandër Lumezi, kanë vizituar sot Prokurorinë Speciale (PSRK), ku janë takuar me kryeprokurorin e saj, Reshat Millaku.

Ministri Tahiri ka thënë se në takim kanë biseduar lidhur më rolin e PSRK-së në trajtimin e numrit të  madh të lëndëve që dorëzohen nga EULEX-i pas përfundimit të mandatit të këtij misioni në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

“Jemi duke menduar fuqizimin edhe më tutje me prokurorë të rinj me staf shtesë për Prokurorinë Speciale, duke e ditur se ballafaqohet me një numër jashtëzakonisht  të madh të lëndëve, të cilat janë mjaft të ndishme që ndërlidhen kryesisht me angazhimin e tyre në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Tahiri ka thënë se do të rrisin numrin e prokurorëve dhe sipas tij  tashmë Këshilli Prokurorial është duke rekrutuar pesë prokurorë të rinj, të cilët beson që do të ndikojnë në rritjen e efikasitetit.

Tahiri tutje njoftoi se në takim kanë diskutuar edhe për vazhdimin e punës së Millakut si koordinator i rasteve të shënjestruara të krimit të organizuar dhe korrupsionit, pas rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizve. Ai tha se kanë shënuar rezultate të jashtëzakonshme në aspekt.

“Ne i institucione, ministri e Drejtësisë, Kryeprokuror, Gjykata Themelore në të cilën kanë qenë shumica e këtyre rasteve, do të angazhohemi vazhdimisht që edhe më tutje të rritet efikasiteti, mos të vetëkënaqemi me këtë vlerësim, të kemi një Prokurori Speciale e cila do të jetë imazhi i fuqishëm i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Kryeprokurori Aleksandër Lumezi tha se biseduan për shumë çështje që kanë të bëjnë me konsolidimin e sistemit prokurorial të Kosovës, për kornizën ligjore edhe për forcimin e institucioneve të drejtësisë, me theks të veçantë forcimin e Prokurorisë Speciale pas transferimit të lëndeve nga EULEX-i te organet vendore të drejtësisë.

“Biseduam edhe për rritjen e numrit të prokurorëve të kësaj prokurorie por edhe numrin e stafit mbështetës, i cili do ti ndihmojë Prokurorisë Speciale për t’i kryer kompetencat e veta kushtetuese më mirë sesa deri tani”.

Lumezi tutje deklaroi se biseduan edhe për ndryshimet ligjore që duhet të bëhen në Prokurorinë Speciale, sepse sipas tij, deri më tani shumë dispozita ligjore kanë rregullar veprimtarinë e kësaj prokurorie.

Ai shtoi se rekrutimi i 5 gjyqtarëve të rinj në fillim të muajit gusht, do të ndikojë në rritjen e efikasitetit të prokurorisë.

“Tani shumica janë prokurorë vendor, në fakt janë 12 prokurorë vendorë dhe Këshilli Prokurorial e ka hapur konkursin edhe për avancimin e 5 prokurorëve në Zyrën e Prokurorisë Speciale. Nga fillimi i muajit gusht do t’i kemi edhe këta 5 prokuror që do të rritet efikasiteti i punës”.

Kryeprokurori i PSRK-së, Reshat Millaku tha se e njoftoi ministrin që prokuroria ka nevojë për 18 prokurorë dhe se për të pasur një prokurori efikase ajo duhet  të ndahet në 3 departamente, departamentin për krime lufte dhe terrorizëm, departamentin për krim të organizuar dhe krim i organizuar në çështje financiare.

“Është propozimi për ndryshimin e ligjit për Prokurorinë Speciale dhe unë e dhashë mendimin që Prokuroria Speciale me pas kompetencat ekskluzive. Është lajm shumë i mirë që në kuadër të Gjykatës Themelore iniciativa për formimin e departamentit të posaçëm i cili kish me i gjyku lëndët e Prokurorisë Speciale sepse prokurorët e kësaj prokurorie shkojnë në të gjitha gjykatat e Kosovës dhe po humbim kohë shumë sepse lëndët tona janë shumë voluminoze”.

Të ngjashme