Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka shfrytëzuar rrjetin social Facebook për të kërkuar mendimin e qytetarëve për njërin prej problemeve më të mëdha në urbanizëm. Bëhet fjalë për ndërtimet pa leje.
Tahiri ka bërë të ditur se për këtë çështje mendimi i qytetarëve do të merret parasysh në ndryshimin e Kodit Penal të Kosovës, i cili tashmë është në fazën finale.
“Kam ndjekur vazhdimisht një politikë gjithëpërfshirëse që reflekton perspektiva të shumta, sinkronizimi i të cilave do na mundësojë një legjislacion të konsoliduar në këtë fushë. Sot, dua të ndaj me ju një nga këto perspektiva, për të cilën ju ftoj të jepni sugjerimet tuaja me komente.Fjala është nëse ndërtimet pa leje duhet t’i kodifikojmë si vepër penale. Jam shumë i interesuar të kuptoj se çfarë pozicioni mbajnë qytetarët ndaj kësaj dukurie jo aq të rrallë, dhe komenteve tuaja do t’iu kushtoj një vëmendje të veçantë.
Pra, a duhet ta sanksionojmë ndërtimin pa leje si vepër penale të paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës? ” ka pyetur Tahiri.